Për herë të parë një politikan i rangut të lartë në Shqipëri, detyrohet të thirret me forcë për të dëshmuar përpara Kuvendit. Sali Berisha do merrej forcërisht nga Policia sot, për të dëshmuar në mbledhjen e komisionit hetimor për privatizimin e “CEZ”, nëse do refuzonte t’i përgjigjej kërkesës së kryetarit të komisionit, Taulant Balla.
Shqiptarja.com ka siguruar ekskluzivisht fletëthirrjen e Policisë së Tiranës për ta shoqëruar me forcë Berishën.
Kjo është herë e parë që një zyrtar i lartë shtetëror, i rangut të Sali Berishës, ish-kryeministër për 2 mandate dhe ish-president i Republikës, detyrohet të merret forcësisht për të dëshmuar në një komision të Kuvendit. Kjo pasi ai refuzoi të dëshmonte në mbledhjen e komisionit në datën 9 dhjetor.
Berisha duhej të paraqitej sot në mesditë, përpara orës 15:00, në ambiente te Kryesisë së Kuvendit. Rreth orës 12:30 të mesditës së kësaj të hëne, Policia e Tiranës ka lëshuar fletëthirrjen, në përgjigje të kërkesës së Kuvendit, për ta shoqëruar Berishën me forcë.
Për këtë arsye, forca policore të komisariatit Nr.1 në Kryeqytet, kanë shkuar në pallatin ku jeton Sali Berisha për t’a shoqëruar atë, por siç thuhet në dokumentin e policisë, as Berisha dhe as ndonjë prej familjarëve të tij nuk ka qenë i pranishëm në banesë.
“Në përgjigje të shkresës nr 8919, të datës 09.12.2016 të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe shkresës me nr 3501 prot të datës 09:12.2016 të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Shqipërisë, me anë të të cilave kërkohet të bëhet thirrja me forcë e dëshmitarit Sali Berisha. Pasi u shkua në banesën e tij e cila ndodhet në Rrugën “Mustafa Matohiti”, përballë ambasadës Iraniane, shkalla nr 2, në banesë nuk u gjet njeri, pasi dera nuk u hap. Në këto kushte, shkresa për thirrjen forcërisht të këtij shtetasi ju dorëzua me firmë, punonjësit të shërbimit të Gardës, z Arjanit Çekiçi, ora 12:30 me detyrë për sigurimin e banesës së shtetasit, Sali Berisha. Duke ju falënderuar për bashkëpunimin! Shefi Komisar Elton Alushi”.
Pak minuta më vonë Berisha është paraqitur në Komisionin Hetimor ku dëshmoi për rreth 3 orë e 20 minuta, mbi privatizimin e ÇEZ, e cilësuar nga mazhoranca si një prej aferave më të mëdha të qeverisë së kaluar e cila i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 414 milionë euro.
Duket se fletëthirrja e policisë dhe zbatimi i ligjit për shoqërimin e tij me forcë në komision, nuk i ka pëlqyer Berishës, pasi edhe gjatë seancës së marrjes në pyetje, ai i është drejtuar kreut të Komisionit, Taulant Balla, duke i thënë se nuk mund ta kërcënojë me xhandarë.
Diskutime rreth kësaj post