Shqipëria nuk pritet të jetë pikë diskutimi në tryezën e Këshillit të Ministrave Europian për çështje të Përgjithshme.
Burime diplomatike rrëfejnë se kjo pikë është mbyllur në nivelin e përfaqësuesve të 27 vendeve anëtare të Unionit dhe përballë Italisë, që lavdëroi “punën e dallueshme të autoriteteve shqipëtare për reformat kyçe”, qëndrimi i motorrit franko-gjerman ishte “mos të bëjmë premtime që s’i mbajmë dot!”.
Të njëjtat burime thonë se pikërisht këto dy vende përmendën dhe “numrin e lartë të kërkesave të pabaza për azil nga qytetarët shqipëtarë në BE” dhe “vazhdimin rigoroz të zbatimit të kritereve të udhërrëfyesit të liberalizimit të vizave”.
Qëndrimi i Francës dhe Gjermanisë gjeti mbështetjen e vendeve të Beneluksit. Belgjika u shpreh neutrale e kërkoi që “të mos paragjykohet raporti i ardhshëm” dhe po kështu, Luksemburgu mësohet të jetë shprehur për “ri-vlerësim nga Komisioni Europian dhe Këshilli i BEsë”.
Në anën tjetër, burimet diplomatike pranë këtij takimi tregojnë se Irlanda ishte “dakord me rekomandimin e Komisionit Europian”, edhe Hungaria u shpreh “për nisjen e negociatave, nëse vendi bënte progres të mjaftueshëm me zbatimin e reformës në drejtësi”, ndërsa për Suedinë, kjo çështje duhet diskutuar “pas zgjedhjeve të përgjithshme, që do të mbahen në mes të vitit të ardhshëm”.
Këto pozicione reflektohen në draft-konkluzionet e ritrajtuara të presidencës sllovake të BEsë, siç publikoi të premten RTSH, të cilat marrin efekt në përfundim të mbledhjes së ministrave europian, bisedimet e të cilëve pritet të përqëndrohen tek Turqia, përsa i takon vendeve të paketës së zgjerimit.
Diskutime rreth kësaj post