Partia Socialiste ka propozuar një masë ekstreme në Kodin Zgjedhor përmes të së cilës kërkon të krijojë një sistem regjistrimi dhe monitorimi të portaleve, një propozim që një ekspert me të cilin foli BIRN e konsideroi shqetësues dhe konfuz.
Deputeti Taulant Balla propozoi ndryshimin në Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore dhe propozimi i tij kërcënon portalet me mbyllje në rast se “angazhohen në propagandë zgjedhore”.
Sipas një drafti që Balla i dha BIRN, propozimi thotë:
“Ndalohet përdorimi i portaleve elektronike të pa kontrolluara nga Bordi i Monitorimit të Mediave për propagandë zgjedhore. Autoritet shtetërore marrin masa për mbylljen gjatë fushatës zgjedhore të portaleve elektronike të pa regjistruara të cilat përhapin propagandë zgjedhore, zhvillojnë sondazhe pa respektuar rregullat e këtij kodi, apo kalojnë kufirin e informimit dhe konsiderohen propagandë zgjedhore”.
Kërcënimi me censurë paraprake të medias në fushatë zgjedhore përbën një akt të paprecedent në Shqipërinë e viteve të fundit. Herën e fundit kur media kishte detyrim të licencohej para se të botohej ka qenë viti 1997, kur qeveria demokrate e kohës, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe kërkoi autorizim paraprak për botimin e gazetave. Shumica dërrmuese e gazetave refuzuan të regjistrohen dhe rrjedhimisht ndërprenë botimin për disa muaj.
“Imponimi i një modeli që zbatohet në fushën e televizioneve edhe në sferën online është shumë problematik, por është e vështirë të kuptohen si do të bëhet ky rregullim për shkak se formulimi është shumë konfuz”, tha për BIRN Darian Pavli, ekspert ligjor pranë Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë – Soros në Tiranë.
Aktualisht Shqipëria ka një nen në kodin zgjedhor të miratuar në vitin 2003, i cili i kërkon televizioneve publike dhe private që t’i japin kohë të barabartë partive politike sipas kuotave të paracaktuara në kodin zgjedhor. Kodi parashikon gjoba deri në 3 milionë lekë për televizionet të cilat shkelin parimin e trajtimit të barabartë të subjekteve zgjedhore kryesore dhe të pasqyrimit me minutazh më të vogël të subjekteve të tjera, por kurrsesi nuk parashikon mbyllje të televizionit.
Por sipas propozimit të Ballës, portalet, ndryshe nga televizionet, jo vetëm që do të duhet të vendosen nën monitorim nga Bordi i Monitorimit të Medias, por ato duhet të mbyllen “përgjatë fushatës zgjedhore” në rast se refuzojnë të regjistrohen.
Bordi i Monitorimit të Medias është një institucion që krijohet pranë KQZ për periudhën zgjedhore, i cili ka për detyrë të analizojë të dhënat e siguruara nga Autoriteti i Mediave Audiovizive për të parë nëse televizionet kanë shkelur apo jo dispozitat e kodit zgjedhor mbi pasqyrimin në televizione të fushatës zgjedhore. Gjithsesi, Bordi i Monitorimit të Medias nuk ka dënuar deri më sot ndonjë televizion për shkelje të tilla.
Gjatë zgjedhjeve të vitit 2015, p.sh, Bordi i Monitorimit të Medias, i cili teorikisht duhet të përbëhet nga profesionistë të pavarur por që zakonisht përbëhet nga njerëz të lidhur ngushtësisht me partitë politike, propozoi gjoba për televizionet që kishin mbështetur njërën palë. Por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi ta injorojë propozimin për vendosje gjobash.
Ndryshe nga televizionet, portalet, sipas propozimit, nuk përgjigjen vetëm për trajtimin e barabartë të subjekteve, por edhe për përmbajtjen e lajmeve, gjë që sugjeron që Bordi i Monitorimit të Medias dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të dyja institucione thellësisht të politizuara, të kenë të drejtë të urdhërojnë bllokimin e portaleve të caktuara sipas dëshirës së vet, bazuar në parime efektivisht të pamatshme. Sipas propozimit, KQZ-së i lind e drejta të bllokojë portalet që “kalojnë kufirin e informimit dhe konsiderohet se bëjnë propagandë zgjedhore”.
Mbetet e paqartë se si mund të zbatohet teknikisht një klauzolë e tillë ligjore duke marrë parasysh se, ndonëse qeveria shqiptare është në gjendje teknikisht të kontrollojë aksesin në faqe të caktuara në territorin e Shqipërisë, ajo nuk ka mundësitë të kontrollojë rrjetet e medias sociale të tilla si Facebook.
Kjo është nisma e disatë e qeverisë apo politikës kundër medias në internet. Vetë kryeministri Edi Rama kërcënoi pak kohë më parë se do t’i jepte fund analistëve dhe portaleve, të cilat, sipas tij, janë kthyer në parti politike që nuk votohen dhe nuk i japin llogari askujt.
BIRN
Diskutime rreth kësaj post