Nuk arriti të hynte në histori si Presidenja e parë femër në SHBA, por në heshtje Hillary Clinton duket se ka vendosur një tjetër gurthemel.
Rezultatet e zgjedhjeve të fundit presidenciale në SHBA tregojnë se ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, e cila u mund nga Donald Trump më 8 nëntor, grumbulloi më shumë vota sesa Obama në vitin 2012, kur ai fitoi mandatin e dytë.
Sipas të dhënave të arkivave kombëtare, demokratja siguroi 2.5 milionë vota më shumë se republikani, që pritet të marrë Presidencën më 20 janar.
Gjithashtu, përparësia e Clintonit ishte më e madhja mes 5 rasteve kur një kandidat presidencial amerikan fitoi votën popullore, por humbi Shtëpinë e Bardhë. Në fakt, përveç Obamës në vitin 2008, ish-Zonja e Parë ka grumbulluar më shumë vota se çdo kandidat tjetër presidencial në historinë amerikane.
Kjo gjë mund të shpjegohet pjesërisht edhe me rritjen drastike të popullsisë në SHBA përgjatë shekullit të fundit, ndërsa për herë të parë këtë vit u numëruan plot 200 milionë votues të regjistruar.
Por, edhe pse vota popullore nuk e ndryshon rezultatin e zgjedhjeve, pasi Trumpi kaloi pragun e 270 votave të Kolegjit Zgjedhor, ajo hedh poshtë argumentin se Clintoni dështoi në mobilizimin e demokratëve.
Diskutime rreth kësaj post