Shqiptarët e Maqedonisë kanë çelësin e Qeverisë së re të Shkupit. Pavarësisht se rezultatet e tyre krijuan pakënaqësi, pasi një pjesë e votave i shkuan partisë maqedonase të Zoran Zaevit, koalicioni i shumicës nuk mund të formohet pa një ose dy parti shqiptare.
Rezultatet e zgjedhjeve krijuan parashikime të shumta, kjo edhe pasi të dy partitë maqedonase deri në momentet e fundit po ndërronin vendet e fituesit dhe humbësit.
Zoran Zaev vërshoi qytetet e Maqedonisë duke shpallur fitoren, pasi kryesonte me dy deputetë. Por, rezultati i fundit i zgjedhjeve, kur janë numëruar shumica e votave dhe asgjë nuk mund të ndryshojë, tregon se fitues është Nikola Gruevski i VMRO-së, i cili fitoi 51 deputetë kundrejt 49 që fitoi Zaev, në Parlamentin me 120 vende të Shkupit.
Shqiptarët humbën 11 deputetë. Rezultati i 5 listave shqiptare tregon se, Ali Ahmeti dhe Bashkimi Demokratik për Integrim kanë fituar 10 deputetë; “Lëvizja Besa” e dyta, që edhe pse lëvizje e re ka marrë 5 deputetë; Aleanca për Shqiptarët ka fituar 3 deputetë dhe PDSH-ja e Menduh Thaçit ka fituar 2 deputetë.
Disa prej partive politike në Maqedoni shprehën pakënaqësi rreth parregullsive. Partitë shqiptare nuk kanë komentuar shumë dhe pritet konfirmimi i rezultatit për të parë nëse Nikola Gruevski do të arrijë të krijojë qeverinë.
Diskutime rreth kësaj post