Ndërprerja e energjisë nuk përbën më një surprizë për artdashësit e kryeqytetit, të cilët i drejtuar Teatrit Kombëtar për të ndjekur shfaqje të ndryshme. Mbrëmjen e sotme, një defekt ka ndërprerë shfaqjen “Opera për tri grosh”, kur kishin kaluar 25 minuta nga fillimi i saj.
Aktori Arben Derhemi i cili ndodhej në skenë në momentin kur ikën dritat, përshtati batutën e tij me situatën e krijuar, duke u shprehur “… se ikin edhe dritat”.
Vetëm disa minuta më pas, është njoftuar se ndërprerja e energjisë ka ardhur si pasojë e një defekti, i cili është rregulluar shpejt, për të vijuar me shfaqjen, raporton “Balkanëeb”.
Komedia “Opera për tri grosh” shkruar nga Vaclav Havel është ripunim i “Operës së lypsarit” të dramaturgut anglez Xhon Geit.
Regjisori Mehmet Xhelili thotë se e zhveshur nga burimi muzikor i origjinës, pjesa sjell thelbin e përgjakshëm të pushtetit mes Piçëmit, Mekit dhe Lokit, secili syresh një personalitet në radhët e policisë dhe grupeve rivale kriminale.
Në skenë dalin në role të ndryshme duke ngërthyer të djeshmen që jetojmë përditë aktorët Arben Derhemi, Alfred Trebicka, Vasjan Lami, Adelina Muca, Olta Gixhari, Laura Nezha, Niada Saliasi, Lulzim Zeqja, Eva Alikaj, Erjona Kakeli, Anila Bisha, Rajmonda Bulku, Arjola Basho, Julinda Emiri, Gert Ferra, Genti Decka, Gent Hazizi, Igli Zarka, Xhuliano Brisku.
Diskutime rreth kësaj post