“Giorgio Ambrosoli?” pyet një zë prapa tij. Ambrosoli kthehet pas. Eshtë diku pranë mesnatës në 11 korrikun e 1979-ës. Tre burra qëndrojnë përballë tij.
“Po?”, konfirmon avokati që vetëm një fraksion sekonde më vonë kupton se sapo ka shprehur dënimin e tij me vdekje. Katër plumba i përshkojnë trupin. Ambrosoli shembet përtokë, jashtë shtëpisë së tij në Milano.
Skandali më i madh i Bankës së Vatikanit ishte si fundi i një tragjedie shekspiriane: të gjithë vdiqën. Dy protagonistët kryesorë të kësaj dhune të egër ishin Michele Sindona dhe Roberto Calvi. Ndërkohë që përpiqeshin të përkulnin edhe më tek ligjet e botës financiare, ata shkaktuan një krizë që shembi banka të fuqishme si dhe shumë biznese të paligjshme, që kishin Bankën e Vatikanit si një prej aksionereve kryesore.
Giorgio Ambrosoli u caktua likuidator në një prej bankave të kontrolluara prej Michele Sindonas dhe zbuloi pagesa të pazakonta që kishin të bënin me llogarinë e Sindonës, që ishin menaxhuar prej bankës së Vatikanit.
Ai kërcënoi të zbulonte atë që shumëkush e kishte dyshuar: pastrimin e parave nga banka, përfshirjen e Bankës së Vatikanit dhe rolin e Michele Sindonas. Ky i fundit pajtoi tre vrasës, por viktima e tyre Ambrosoli ishte vetëm një prej shumë të vdekurve: kushdo që u afrohej shumë sekreteve të Bankës së Vatikanit u vra – edhe vetë protagonistët vdiqën në fund.
Michele Sindona u dënua me 25 vjet burg, aty ku vdiq nga helmimi me cianid pasi shpalli se do të nxirrte të vërtetat në lidhje me Bankën e Vatikanit. Ndërkohë Roberto Calvi u gjet i varur nën urën Blackfriars në Londër në vitin 1982, pasi edhe ai kish shprehur dëshirën që të rrëfehej. Dy bankierët kishin bërë një pakt me djallin – dhe paguan çmimin.
Po sot? Akuza të reja për pastrim parash vazhdojnë të përndjekin bankën e Vatikanit, pavarësisht se Papa Francesku ka urdhëruar që ajo të jetë më transparente. A do të jetë në gjendje një modernizues si ai që të hapë gjithë dyert? /Bota.al
Diskutime rreth kësaj post