Ekspertët ngrenë shqetësimin se sistemi i urdhrave mbrojtës dhe ai i strukturave shtetërore nuk funksionojnë siç duhet në parandalimin e krimeve të rënda që rrjedhin nga dhuna në familje.
Nga Lindita Çela
Vrasja makabre e Liljana Rukajt, e ndodhur më 3 dhjetor në Fier ka vënë në pikëpyetje funksionimin e urdhrave të mbrojtjes dhe sistemin e parandalimit të dhunës në Shqipëri. Nëna e dy fëmijëve vdiq pasi bashkëshorti e hodhi nga dritarja e katit të katërt të apartamentit ku banonin, ndonëse tre javë para vdekjes kishte marrë një urdhër mbrojtjeje në gjykatë.
Më 11 nëntor 2016, Gjykata e Fierit urdhëroi Ferdinand Rukajn që të mos ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes dhe të mos i afrohej asaj në një distancë prej dy metrash. Gjykata nuk trajtoi megjithatë rrezikun që i kanosej denoncueses së dhunës nëse jetonte në të njëjtën shtëpi me bashkëshortin e saj.
Vendimi i gjykatës-një praktikë që ndiqet rëndom edhe në qindra raste të tjera cilësohet absurd prej ekspertëve që trajtojnë rastet e dhunës në familje.
Etleva Sheshi, drejtoreshë në Ministrinë e Mirëqënies Sociale i tha BIRN se në rastin e Liljana Rukajt, gjykata duhej të shprehej nëse jeta e saj ishte e rrezikuar apo jo, në mënyrë që viktima të strehohej në një qendër të shërbimit social.
“Në rast se gjykata nuk e vlerëson se jeta e saj nuk është kaq e rrezikuar, atëherë thotë se dhunuesi nuk duhet t’i ofrohet viktimës në një distancë të caktuar. Por ama duhet të kuptohemi; kjo distanca duhet të jetë logjike. Nuk mund të thuhet se kjo distancë të jetë dy metra, pasi dy metra nuk është as krevati,” tha Sheshi për BIRN.
Liljana Rukaj është gruaja e gjashtë e vrarë në vitin 2016 në Shqipëri. Ndërkohë, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se fenomeni i dhunës është mjaft i përhapur në shoqërinë shqiptare, ku mijëra gra dhe vajza denoncojnë çdo vit te punonjësit e policisë.
Nga janari deri në nëntor 2016, policia ka regjistruar 3758 raste dhune dhe ka dorëzuar në gjykatë 1991 padi për urdhra mbrojtjeje. Në 200 prej këtyre rasteve, pre e dhunës janë bërë të miturit.
Të dhënat e denoncimeve janë në kontrast të fortë më rastet e trajtuara nga institucionet, ku në vitin 2016 u strehuan vetëm 27 gra dhe 4 fëmijë në qendrat sociale.
Ndonëse numri i denoncimeve për dhunë në shoqëri dhe në familje është i lartë, ekspertët ngrenë pikëpyetje mbi sistemin e mbrojtjes dhe funksionimin e tij në parandalimin e krimeve të tilla të rënda.
Përfaqësues të Koalicionit Kombëtar të Strehëzave Antitrafik i thanë BIRN se vrasja e Liljana Rukajt tregon se “rastet nuk trajtohen në mënyrë të përshtatshme dhe nuk referohen për ndihmë tek institucionet e përkujdesit”.
“Ngjarjet e fundit janë shokuese dhe përsëritja e tyre tregon hapur se nuk funksionon sistemi i mbrojtjes, duke përfshirë identifikimin, referimin dhe asistencën për viktimat,” iu përgjigj koalicioni BIRN.
Duke iu referuar rasteve të trajtuara, Koalicioni Kombëtar i Strehëzave Antitrafik argumenton se Shqipëria ka tanimë legjislacion të plotë në ndihmë të viktimave të dhunës, por një reagim të dobët dhe implementim defektoz të tij nga institucionet përgjegjëse. Problem është gjithashtu monitorimi i rasteve të denoncuara.
Ligji nr. 9669 “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, në nenin 10 të tij parashikon një gamë të gjerë të masave mbrojtëse për viktimën e dhunës dhe fëmijët. Por Koalicioni Kombëtar i Strehëzave Antitrafik vëren se gjykatat kufizohen në dhënien e 3 apo 4 masave mbrojtëse dhe nuk shprehen se ku do qëndrojë viktima e dhunës, pas marrjes së urdhrit të mbrojtjes apo për largimin e dhunuesit nga shtëpia.
“Në këtë mënyrë rezulton që ajo qëndron në të njëjtën banesë me dhunuesin,” shton Koalicioni.
Të njëjtin mendim për urdhrat e mbrojtjes ndan edhe Etleva Sheshi, e cila shprehet megjithatë se çështjet e dhunës nuk janë një problem që mund të zgjidhen vetëm nga institucionet shtetërore. Ajo apelon për një ndërgjegjësim më të madh, qoftë në denoncimin e rasteve, ashtu edhe në ndihmën që duhet t’u jepet viktimave.
Sipas Sheshit, çdo institucion në Shqipëri duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e tij, duke filluar që nga shëndetësia, policia, shkolla apo psikologët, që sipas saj janë burime të evidentimit të dhunës. Ajo kërkon gjithashtu që pushteti vendor duhet të luajë një rol më të madh në këtë drejtim.
“Pushteti vendor duhet të zgjohet urgjentisht, sepse mbledh taksa, ka fonde të veçanta dhe një shumë të caktuar parash mund t’i përdorë për ndërtimin e banesave sociale për viktimat e dhunës, ose qendra emergjence që deri më tani nuk ekzistojnë,” thotë Sheshi.
“Nëqoftëse të gjithë aktorët nuk funksionojnë dhe nuk kryejnë si duhet detyrat e tyre, parandalimi i dhunës mbetet një sfidë shumë e vështirë,” përfundon ajo.
Diskutime rreth kësaj post