Pasi kanë shtënë në dorë sektorin e energjisë elektrike dhe të sigurimeve, investitorët kinezë u janë lëshuar tani bankave dhe mediave portugeze.
Kina po ble thuajse gjithçka në Portugali: spitale, shoqëri sigurimi, gazeta dhe banka. Dhe ndërsa ekonomistët dhe madje edhe biznesmenët janë të alarmuar për shtimin e ndikimit kinez, kryeministri Antonio Costa e konsideron Kinën si shpëtimtare nga kriza dhe do ta zgjerojë edhe më tej bashkëpunimin.
“Bankat portugeze po ndjellin investitorë që nuk janë patjetër të dëshiruar” – paralajmëroi javën e kaluar Fernando Faria de Oliveira, ish-ministër i Ekonomisë dhe kryetar i Shoqatës së Bankave, pasi grupi kinez Fosun kishte blerë 16,7% të bankës BCP. Kjo bankë është banka më e madhe private në Portugali dhe kinezët që tani janë aksionerët më të mëdhej të kësaj banke, duan të blejnë rreth 30% të aksioneve të saj.
Blerje për rreth 13 miliardë euro
Që prej fillimit të krizës në vitin 2011 Republika Popullore e Kinës ka blerë në Portugali në mënyrë masive. Ajo kontrollon ndërkohë sipërmarrjen e energjetikës EDP si dhe ish-koncernin shtetëror të energjisë REN. Po ashtu ajo ka blerë edhe shoqërinë e sigurimeve Fidelidade si dhe një sërë spitalesh e klinikash. Dhe së fundi një investitor nga Macau, që deri në vitin 1999 ishte koloni portugeze, do të blejë shumicën e grupit mediatik Global Media, koncernit më të madh të gazetave portugeze.
Kina ka investuar pra rreth 13 miliardë euro në Potugali dhe ka vënë nën kontroll disa nga sipërmarrjet më fitimprurëse të vendit.
Deriçka e Kinës në Evropë?
Në vend që të jetë i shqetësuar kryeministri portugez Antonio Costa vetëm se lavdëron miqësinë kinezo-portugeze. Gjatë vizitës së tij në Kinë në muajin tetor ai tha se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë një histori 500 vjeçare dhe tha se Portugalia ka nevojë urgjente për investitorë.
Tani investitorët kinezë kanë në shënjestër bankat dhe pas bankës BCP synojnë të blejnë edhe bankën Novo Banco. Profesori i ekonomisë João Duque thotë se „kinezët nuk punojnë patjetër sipas kritereve të ekonomisë së tregut” dhe se bankat portugeze nuk duhet të varen vetëm nga një investitor, edhe pse kanë nevojë për para.
Kina nuk e fsheh interesin e saj për ta kthyer Portugalinë në deriçkë për të depërtuar në Evropë. Dhe në kuadër të partneritetit strategjik mes të dy vendeve po vazhdon planet për të investuar në logjistikë, transport, bujqësi, turizëm dhe ndërtim.
DW
Diskutime rreth kësaj post