Sekretari për Rendin dhe Sigurinë në PD, Enkelejd Alibeaj ka akuzuar kryeministrin Rama për aplikimin e standardeve të dyfishta me drejtësinë.
Në një deklaratë për mediat, Alibeaj ka thënë se, lirimi nga burgu i Lulzim Berishës është një zhvillim i rëndë dhe një hapësirë më shumë që merr krimi në kurriz të ligjit dhe rendit.
“Nuk ka asnjë dyshim se pas kësaj qendron Edi Rama, i cili jo vetëm nuk zbaton ligjin për dekriminalizimit, jo vetëm nuk bën asnjë përpjekje për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, jo vetëm nuk lufton drogën dhe kartelet e saj, por krejt në të kundërt me këto kërkesa të shqiptarëve, të ndërkombëtarëve, i ofron lirinë Lulzim Berishës, i njohur botërisht si kreu i bandës së Durrësit”, ka thënë Alibeaj.
Sipas tij, përveç se për krimet e shumta, vrasjet dhe trafikun e drogës, banda e Durrësit njihet edhe për “angazhimin serioz në krah të Partisë Socialiste dhe Edi Ramës në zgjedhjet e fundit, duke kërcënuar qytetarët e dhunuar votën”.
“Edi Rama ka bërtitur me të madhe kundër gjykatësve për gjëra shpesh edhe banale, ose për vendime që nuk i kanë pëlqyer, që kanë qënë kundër interesit të tij, por nuk thotë asnjë fjalë për lirimin e Lulzim Berishës, kreu i bandës famëkeqe të Durrësit. Pse hesht Edi Rama? Pse drejtësia qenka në rregull kur lirohet banditi i tij që i siguron vota në Durrës, duke dhunuar qytetarët? Këto janë dy standardet e tij. Kjo është në fakt drejtësia që kërkon Edi Rama. Ta ketë nën kontroll, ta urdhërojë, të jetë nën shërbimin e tij, për interesat e tij, për banditët e tij”, ka shtuar Alibeaj.
Diskutime rreth kësaj post