Themeluesi dhe udhëheqësi i LIBRA-s, deputeti i njohur Ben Blushi ka paraqitur sot një Paketë për Demokracinë me 7 pika për reformën zgjedhore. Blushi tha sot se nuk ka asnjë produkt dhe amendament të paraqitur për reformën pavarësisht se ka skaduar afati i komisionit.
Sipas tij, si Rilindja ashtu edhe PD sabotuan votimin e emigrantëve, numërimin elektronik si dhe kontrollin financiar të partive.
Emigrantët shqiptarë veçse një forcë e madhe që kanë kontribuar me kontributin e tyre përmes dërgesave financiare në zhvillimet ekonomike të Shqipërisë, kanë luajtur edhe një rol të rëndësishëm në integrimin e vendit. Megjithë premtimet e shumta nëpër fushata elektorale se do tu garantohet vota ajo edhe sot e kësaj dite vazhdon ti mohohet padrejtësisht dhe pa asnjë lloj argumenti bindës.
Blushi theksoi më tej se vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje pa reformë zgjedhore, por bën fajtore edhe opozitën se tradhtoi kauzën e vet për më shumë cilësi në zgjedhje.
DEKLARATA E BLUSHIT
Propozime për një Reformë Politike
Sot në datën 9 dhjetor ka skaduar afati i Komisionit të Reformës Zgjedhore, pa asnjë produkt dhe pa asnjë amendament të paraqitur.
Respektivisht, Rilindja dhe PD sabotuan votimin e emigrantëve, numërimin elektronik si dhe kufizimin dhe kontrollin e financave të tyre. Ndërkohë, Komisioni Europian i ka përcaktuar zgjedhjet si një kusht për integrimin europian të vendit, i cili u theksua edhe nga kancelarja Merkel para disa ditësh.
Është hera e parë që rrezikojmë të shkojmë në zgjedhje pa reformë zgjedhore. Zakonisht janë qeveritë ato që nuk duan reformë zgjedhore, por këtë herë edhe opozita e tradhtoi kauzën e vet për më shume cilësi në zgjedhje.
Në këto kushte, LIBRA po përgatit disa propozime në formë amendamentesh.
LIBRA do të bëjë publike shumë shpejt një Paketë për Demokracinë, e cila parashikon më shumë demokraci direkte si dhe disa ndryshime në sistemin tonë politik.
LIBRA është e vendosur për:
1. Garantimin e votës së emigrantëve shqiptarë;
2. Komisione zgjedhore të depolitizuara;
3. Kontroll dhe audit ndërkombëtar të financimit të partive politike;
4. Numërim elektronik të votës;
5. President nga populli;
6. Parlament më të vogël, me 100 deputetë;
7. Lehtësim të procedurave kushtetuese për referendum popullore
Diskutime rreth kësaj post