Edhe Franca konfirmon zyrtarisht se për Shqipërinë nuk do ketë kushte shtesë dhe se zbatimi i Vettingut është i rëndësishëm për hapjen e negociatave për integrim.
Harlem Desir, sekretar Shteti në qeverinë franceze, thotë se vendi i tij do ta mbështesë Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Zoti Desir ishte në Tiranë në ceremoninë e hapjes së zyrës rajonale për rininë.
TCH: Cili do të jetë qëndrimi i Francës për Shqipërinë? A do ta mbështesë ajo rekomandimin pozitiv për Shqipërinë në Bashkimin Europian?
Harlem Desir: Shqipëria ka bërë një punë të madhe dhe të vështirë në lidhje me reformën në drejtësi. Ne do të jemi shumë të vëmendshëm për mënyrën sesi kjo reformë do të zbatohet dhe duke nisur nga viti i ardhshëm, nisur nga progresi që është bërë, do të jemi në gjendje të përcaktojmë qëndrimin tonë në lidhje me hapjen e negociatave për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Komisioni Europian ka bërë një raport pozitiv në lidhje me rrugën e përshkuar nga Shqipëria në drejtim të reformave dhe në përpjekjet që janë bërë për zbatimin e 5 prioriteteve kyçe të kërkuara nga Bashkimi Europian. Tani duhen bërë hapa të tjerë përpara siç është vënia në zbatim e reformës në drejtësi; ligji i Vettingut ose siç njihet ndryshe rivlerësimi i figurës së gjykatësve dhe prokurorëve. Pas vënies në zbatim të reformës në drejtësi, por edhe të aspekteve të tjera, vendet europiane do të marrin vendimet e tyre. Duhet të dini që Franca së bashku me vendet e tjera të BE-së do të jenë gjithmonë mbështetëse të Shqipërisë dhe do ta ndihmojë atë në vënien në zbatim të reformës në drejtësi.
Zyrtari francez konfirmon se nuk ka kushte të tjera që do ta pengonin Shqipërinë në rrugën drejt hapjes së bisedimeve për anëtarësim.
Ky konfirmim vjen vetëm pak ditë para marrjes së një vendimi nga vendet anëtare të Bashkimit Europian. Komisioni do të shprehet në lidhje me avancimin e vendeve kandidate në rrugën drejt afrimit me Bashkimin Europian.
“Nuk do të ketë kushte shtesë për hapjen e negociatave për Shqipërinë. Shqipëria ka një rrugë të gjatë për të bërë dhe duhet të avancojë në shumë drejtime siç janë: lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve, bashkëpunimit në fushën e policisë apo atë të drejtësisë”, shprehet Harlem Desir, sekretari i Përgjithshëm i Shtetit francez.
Diskutime rreth kësaj post