Matteo Renzi ka dhënë zyrtarisht dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Italisë pasditen e kësaj të mërkure.
Sipas raportimeve të mediave italiane, Renzi ka qenë në Presidencë për të zyrtarizuar vendimin, ku ka qëndruar për rreth 45 minuta me presidentin Sergio Mattarella.
Më herët Renzi zhvilloi një mbledhje me kryesinë e Partisë Demokratike, në përfundim të së cilës shprehu qëndrimin e tij: “zgjedhje pas konsultimeve, ose qeveri uniteti”.
“Jemi partia që ka shumicën relative. Duhet të ndihmojmë presidentin e Republikës që t’i japë fund krizës qeveritare sipas mënyrave që do të gjykojë ai”, tha Renzi.
Më herët senatorët u bënë thirrje të gjithë ligjvënësve të kapërcejnë krizën qeveritare, në mënyrë që vendi të shkojë sa më shpejt në zgjedhje.
“Populli italian ka nevojë për ndryshim dhe ka nevojë t’u drejtohet qendrave të votimit, ku do të thotë më në fund fjalën e tij mbi politikat që duhen ndjekur”, tha Alberto Airola.
Senatori Stefano Candiani e krahasoi Renzin me kapitenin e “Costa Concordia”-s, i cili po komandonte tragetin e luksit kur u përplas me shkëmbinjtë në vitin 2012, raporton TCH.
“Renzit, pak a shumë si Schettinos, iu desh ta braktiste anijen pa e çuar atë në port”, tha Stefano Candiani.
Por presidenti Mattarella pretendon që Parlamenti duhet të hartojë më parë një ligj të ri zgjedhor e më pas të mbajë votimet.
Diskutime rreth kësaj post