Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Sokol Dervishaj prezantoi të mërkurën në komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave buxhetin për vitin 2017 . Sipas tij, ky buxhet synon përmirësimin e transportit hekurudhor, rrugor, ujësjellës-kanalizimeve dhe atij detar.
Vitin që vjen do të nisë puna për rehabilitim të hekurudhës Durrës-Rinas-Tiranë, një investim prej 11 milionë eurosh.
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj deklaroi të mërkurën në Komisionin e Ekonomisë se në bashkëpunim me qeverinë gjermane dhe IBRD-në kanë nisur procedurat për këtë projekt, të cilin ai e theksoi si më të madhin në të gjithë rajonin.
“Politikat e transportit janë fokusuar në përshpejtimin e përpjekjeve për të zbatuar reformën e sektorit hekurudhor në ve]anti duke siguruar pavarësinë e nevojshme të operacione të trenave të menaxhimit të infrastrukturës në përputhje me legjislacionin e BE-së”, tha Dervishaj.
Ministri u ndal edhe në zhvillimin e projekteve të transportit rrugor. Ministri informoi se negociatat me kompaninë koncesionare janë drejt përfundimit. Në procesin e negociimit, tha Dervishaj, është edhe kompania konsulente IFC.
Ndërsa, i pyetur se sa do të jetë sasia e kompensimit nga qeverisë për kompaninë koncensionare, në rast të mungesës së trafikut të parashikuar në kontratë, ministri tha se nuk ka një shifër të përcaktuar në buxhet, pasi sipas tij, nuk mendohet se do të ketë mungesë të trafikut.
Dervishaj po ashtu tha se një kompani shqiptare ka paraqitur projekt-propozim për të ndërtuar rrugën e Arbrit, ofertë e cila po studiohet nga ekspertët. “Jemi duke shqyrtuar ndërtimin me koncesion të rrugës së Arbrit. Është një kompani shqiptare që ka sjellë ofertën. Por jemi në fazën fillestare”, u shpreh ai. Për vitin që vjen, ai bëri të ditur që në buxhet nuk janë planifikuar fonde, dhe se koncensioni është i vetmi opsion për ndërtimin e saj.
Duke folur për sigurinë rrugore, ministri tha se do të ketë investime vitin e ardhshëm në ato që konsiderohen ‘pika të zeza’. Lidhur me statistikat e aksidenteve rrugore në vend , Dervishaj tha se vetëm 4 % e tyre vijnë për shkak të mungesës së sigurisë rrugore. Pjesa tjetër vijnë, vijoi ministri, për shkak të shpejtësisë, makinave të vjetra në përdorim apo njohurive jo të mjaftueshme për drejtimin e automjeteve.
Diskutime rreth kësaj post