Platformës së re të Programit për Mbështetjen e Agrobiznesit në Shqipëri i bashkohen edhe institucionet e mikrokredisë në vend.
Marrëveshja e nënshkruar sot në Tiranë, mes BERZH-it dhe Fondit Besa do të mundësojë kreditimin deri në 5 milionë euro të Fondit Besa për kredidhënie ndaj agrobizneseve dhe fermerëve sipas kushteve të programit në Shqipëri. Huaja do të plotësohet nga një skemë për minimizimin e riskut dhe asistencë teknike për rritjen e kapaciteteve.
Bujqësia është një sektor kyç i ekonomisë shqiptare që siguron punësim për më shumë se 50 për qind të popullsisë së zonave rurale dhe përbën rreth 20 për qind të PBB-së së vendit. Pavarësisht kësaj, sektori mbetet shumë pak i shërbyer nga institucionet financiare, ku kreditë për agrobiznesin përbëjnë vetëm 2 për qind të kreditimit total për ekonominë.
Programi për Mbështetjen e Agrobiznesit në Shqipëri, i prezantuar nga BERZH dhe qeveria shqiptare në fillim të vitit 2016, e adreson këtë sfidë duke përmirësuar aksesin në financime për agrobizneset vendase përmes linjave të dedikuara të kredisë, ose nëpërmjet instrumentave të ndarjes së riskut të huadhënies për sektorin e agrobiznesit. Qeveria ka mundësuar deri në 36 milionë euro në mbështetje të programit dhe BERZH po ofron deri në 100 milionë euro për financime dhe instrumenta të ndarjes së riskut.
Fondi Besa është një institucion financiar i orientuar te mikrokredia. Prioritetet strategjike të BERZH-it për periudhën 2016-2018 për vendet ku Banka investon janë rienergjizimi i rritjes, konsolidimi i integrimit rajonal dhe adresimi i sfidave globale.
Diskutime rreth kësaj post