Njëri prej ndihmësve të Donald Trumpit e humbi vendin e punës për shkak të mesazheve në “Twitter”, ku i referohej të ashtuquajturës “Pizzagate”. Michael Flynn Junior, i biri i njeriut që miliarderi e ka përzgjedhur si këshilltarin e vet të Sigurisë Kombëtare, largohet pasi shkroi në profilin e tij se, deri në momentin që do të provohet e rreme, ngjarja duhet konsideruar e vërtetë.
Ajo për të cilën fliste 33-vjeçari është njoftimi, i rremë sipas të gjitha gjasave, se piceria e mësyrë disa ditë më parë në Uashington ishte përfshirë në një rrjet shfrytëzimi seksual të të miturve, i cili drejtohej nga Hillari Clinton dhe John Podesta.
Personi i arrestuar për incidentin, 28-vjeçari Edgar Maddison Welch, nga Karolina e Veriut, pretendon se kishte shkuar në piceri i armatosur që të shpëtonte fëmijët.
E ndërsa stafit të tij i largohet një pjesëtar, presidenti i zgjedhur zgjodhi njeriun që do të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara në Kinë. Ai është një mik i vjetër, siç e përshkruan vet autoritetet kineze, guvernatori e Iowas, Terry Branstad.
“Dua të them se guvernatori Branstad është mik i hershëm i popullit të Kinës. Ne presim që ai të luajë një rol të rëndësishëm sa i takon zhvillimit të marrëdhënieve mes vendit tonë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Lu Kang, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze.
Qasja që Trump do të marrë ndaj Pekinit është në fokus, që prej telefonatës së tij javën e kaluar me presidenten e Tajvanit, Tsai Ing-wen. Episodi ngjalli shqetësim të menjëhershëm në Kinë, ku ishulli i vetëqeverisur shihet si provincë renegate. Pekini dyshon fort se Tsai do të përpiqet të luftojë për pavarësinë zyrtare të Tajvanit.
Diskutime rreth kësaj post