Pas një serie rritjeje pagash të kategorive të: mësuesve, pedagogëve, policëve dhe mjekëve u erdhi radha edhe ushtarakëve. Lajmi u dha nga Kryeministri Rama në një takim të zhvilluar me ushtarakë në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes.
Ky shpërblim është më i freskëti në vargun e benefiteve të përfituara prej ushtarakëve në këto 3 vitet e fundit, midis të cilëve falja e borxhit që shteti u imponoi, rikthimi i kompensimit ushqimor dhe i suplementeve në paga e pensione.
Kreu i qeverisë deklaroi se ushtria nuk do të bjerë më në kllapinë e mëparshme, kur flota u paralizua nga mungesa e karburantit dhe mosekzekutimi i paligjshëm i vendimit të Gjykatës Kushtetuese i ktheu ushtarakët në borxhlinj ndaj Institutit të Sigurimeve. Në total, qeveria e mëparshme u kërkoi 5 425 ushtarakëve të kthenin së bashku rreth 13 milionë dollarë, nga pensionet që kishin marrë dhe që sipas ligjit të ndryshuar prej asaj vetë, rezultuan pensione “shumë të larta”.
Kryeministri vuri në dukje arbitraritetin e ish-ministrit të Financave, që në Parlament theksoi se nuk do të zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i jepte të drejtë ushtarakëve. “Rikthimi i dinjitetit të ushtrisë është ndër synimet më të rëndësishme të qeverisë”, tha Rama.
Duke filluar nga muaji Mars i vitit të ardhshëm pagat e ushtarakëve do të jenë në masën 5% deri në 7 % më të larta. Masa e rritjes do të vendoset në asimetri me gradat e ushtarakëve që do të çojë në shtesa deri në masën 8000 lekë të reja për gradat më të ulëta.
Diskutime rreth kësaj post