Nga Mero Baze
Ka një zemërim të ligjshëm në rrjet rreth vërshimit të shumë komenteve fyese nga mbështetës të së djathtës kundër kolegut tonë Andrea Stefani, disa orë pas vdekjes së tij. Pas kësaj ka dhe një vërshim opinionesh kundër tyre, duke e bërë betejën edhe më makabre.
Me aq sa pashë komentet, përfshi dhe poshtë postimeve të mija rreth Andreas, askush nuk e ka fyer Andrean si person, por e kanë me angazhimin e tij si gazetar dhe qëndrimet kritike, kryesisht ndaj Berishës.
Në të vërtetë, për ata që e njohin Andrean dhe rrënjët e familjes së tij, e dinë që Andrea Stefani nuk është një familje e majtë. Ai rrjedh nga një familje ish- pronarësh të rëndësishëm me prona në kryeqytet dhe në plazhin e Durrësit, të cilat nuk di në ja doli t’i marrë ndonjëherë. Ai ishte po ashtu një anti-enverist i betuar.
Përpara se të ikte nga kjo jetë, ai bëri betejën e fundit kundër atyre që duan të privatizojnë Luftën Nacionalçlirimtare si luftë komuniste tek gazeta “Dita”, dhe u sulmua jo pak nga sëra e së majtës enveriste.
Me këtë desha të them se problemi i Andreas nuk ishte se dukej i majtë apo i djathtë. Problemi i Andreas ishte se duke qenë besnik i bindjeve të tij, ai nuk druante të bënte betejë.
Por përse u sulmua në rrjet, Andrea Stefani?
Po i ndiqja me kujdes reagimet rreth tij qysh dje në orën 17:00, kur mora lajmin nga Roma. E kisha këtë makth, pasi më ka ndodhur e njëjta gjë kur vdiq Sokol Olldashi. Unë postova i pari lajmin për vdekjen e tij dhe nuk vonuan komente fyese ndaj tij, poshtë postimit. M’u desh të ndërhyja menjëherë dhe ta bëja të qartë, që çdo koment fyes do bllokohej. Ky ishte sinjali i parë, që ato u rralluan. Pastaj reagimi civil i qeverisë për aksidentin, dhe gjithë sjellja politike ndaj tij, bëri që sulmet të frenoheshin dhe të nesërmen të mbahej zi kombëtare dhe të nderohej nga të dy palët. Po të mos sillej ashtu Edi Rama dhe qeveria, nuk kishte zot t’i mbante fyerjet ndaj tij.
Pardje kjo gjë u përsërit. I pari që postoi një ngushëllim për të nga opozita ishte Astrit Patozi. Astriti, unë dhe Andrea kemi qenë për një vit gazetarë në një redaksi. Komentuesit poshtë Patozit, që janë në shumicë militantë të PD, filluan një agresion të pashembullt, jo vetëm ndaj Andreas, por dhe ndaj Patozit, duke e akuzuar dhe për tradhtar. Shikojeni atë postim dhe do ta kuptoni se çfarë ndodh me turmën në këto raste.
Gati tre orë më pas ka hyrë në lojë Sali Berisha. Me instiktin politik të një njeriu, që e di se ç’duhet të bëjë në momente të tilla, ai postoi një mesazh ngushëllimi për Andrean, duke e bërë të qartë që ishte një kritik i tij, por që ai e respektonte. Komentet filluan të zbuten në mënyrë marramendëse.
Lulzim Basha, që kishte frikë dhe të ngushëllonte pa folur Saliu, dërgoi një sms me urgjencë një orë pas Sali Berishës, që bënte me dije se dhe ai e ngushëllonte. Pas kësaj komentet thuajse u rralluan. Edhe tek faqja e Astrit Patozit filluan të përmirësoheshin e ta ngushëllonin Andrean dhe Patozin të mos e quanin më tradhtar.
E gjitha kjo ka një shpjegim të thjeshtë. Turmat që shajnë e fyejnë, as nuk dinë përse shajnë, as lexojnë dhe as kuptojnë dhe nëse lexojnë. Ata duan gjithnjë një shenjë nga udhëheqësi që të duartrokasin, ose gjuajnë me baltë. Ndaj mos u merrni me to, në këto raste. Ata nuk reflektojnë dhe nuk përfaqësojnë asgjë nga shoqëria, përveç fanatizmit politik të diktuar. Ndaj nuk duhet të na fyejnë ne të gjallëve, dhe aq më pak të baltosin ikjen e një kolegu të nderuar, si Andrea. Ato reflektojnë civilizimin e klasës politike, dhe egërsinë publike që ato reflektojnë për së gjalli.
Shikoni nëse ka më sulme ndaj Andreas pasi ka fol Sali Berisha! Thuajse asnjë. Vetëm ato pak orë vonesë, deri sa folën kundërshatrët e tij për ta ngushëlluar, i lanë pa direktivë turmat dhe ato vollën vrer. Janë thjeshtë turma që telekomandohen. Andrean, realisht nuk e ka fyer askush. E vetmja gjë fyese është t’i marrësh ato baltosje militantësh seriozisht. Kjo është dhe e vetmja gjë që bën pis ikjen e Andreas.
Diskutime rreth kësaj post