Banka e Shqipërisë do të krijojë një fond të posaçëm për shpëtimin e bankave të nivelit të dytë, në rastet kur rrezikohet stabiliteti financiar i vendit nga falimentimi i mundshëm i ndonjë prej bankave që operojnë në Shqipëri.
Në Parlament ka mbërritur projektligji i bankës qendore për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka. Ajo do të bëhet vetëm për interes publik dhe depozitat janë të siguruara në çdo moment.
Peshën kryesore për përballimin e situatës e kanë në radhë të parë vetë aksionerët e bankës, por në momentin kur banka nuk përmbush ose ekziston mundësia që shumë shpejt të mos përmbushë detyrimet e saj, ndërhyn Banka e Shqipërisë përmes një autoriteti të posaçëm që krijon ligji i ri dhe që do të administrojë fondin e shpëtimit.
Ky i fundit do të krijohet me kontribute të vetë bankave dhe do të plotësohet ndër vite. Ndërhyrja e jashtëzakonshme nuk mund të kalojë më shumë se 5% të detyrimeve të bankës. Autoriteti i posaçëm ka të drejtë edhe që të shkarkojë dhe emërojë administratorët e bankës me probleme. Nga ana tjetër, bankat janë të detyruara të hartojnë plane shpëtimi periodike dhe të njoftojnë Bankën e Shqipërisë.
Nëse burimet dhe mjetet financiare të siguruara vlerësohen të pamjaftueshme nga Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, mund të kërkohet hua nga buxheti i shtetit. Masa e huasë përcaktohet në mënyrë që të sigurojë qëndrueshmërinë e sistemit financiar si dhe të jetë në përputhje me qëndrueshmërinë e financave publike të vendit.
Shoqata e bankave në vend është dakord me projektligjin. Zoti Spiro Brumbulli, sekretar i shoqatës, pranoi se ligji është diskutuar me bankat dhe se ai është në përputhje me legjislacionin europian për krizat financiare.
Diskutime rreth kësaj post