Kutitë e votimit janë hapur në të gjithë Italinë për referendumin mbi ndryshimet kushtetuese, një zhvillim që po ndiqet nga afër nga i gjithë kontintenti, që pret një shfaqje tjetër të ndjesive antielitë në Europë.
Ndryshimet e propozuara përfshijnë reduktimin e fuqive të Senatit dhe gjithashtu numrit të senatorëve, nga 315 në 100. Referendumi, i organizuar nga kryeministri Matteo Renzi, bëhet për të reformuar Parlamentin, por nga shumë vetë pritet që të përdoret si një mundësi për të shprehur pakënaqësinë.
Partitë populiste në Itali, përfshirë “Lëvizjen 5 yjet” kanë bërë fushatë që njerëzit të votojnë kundër referendumit, madje duke kërkuar një tjetër referendum për euron. Kryeminstri italian Matteo Renzi ka premtuar dorëheqjen nëse humbet në referendum, ndërsa sondazhet sugjerojnë pikërisht këtë: ai nuk do t’ia dalë dot.
Por dështimi i tij në referendum shkon përtej largimit të kryeministrit të radhës. Humbja e qeverisë në referendum është një sinjal se populizmi në Europë vazhdon të rritet dhe se “Brexit” ishte vetëm shenja e parë.
Shumë votues italianë janë të pakënaqur me plogështinë ekonomike të vendit, ndërsa Europa mban frymën pezull pasi një humbje e Renzit, udhëheqësit të ekonomisë së tretë më të madhe në union, mund të lëkundë stabilitetin financiar të Eurozonës.
Qendrat e votimit në Itali u hapën në orën 7 të mëngjest dhe do të mbyllën në orën 23.
Diskutime rreth kësaj post