Nga Baton Haxhiu
Takimi i Lul Bashës me gazetarët dhe shoqërinë civile, rreth një muaj më parë, m’u duk me një përmbajtje të zbrazët, me simbolikë vizuale dhe i pamotivuar. Kur pashë fotot, preka kujtesën e një beteje në PD, pas humbjes së zgjedhjeve. Betejën e Sali Berishës me Sokol Olldashin për kryetar të PD-së, që zyrtarisht ishte një garë konkurruese mes Olldashit dhe Bashës.
Këtë garë të PD-së e ka zbehur Doktori. Bindja e tij duket se ka qenë që Lul Basha është i duhuri. Nuk e kishte thënë asnjëherë publikisht, por e kishte vërtetuar me heshtje. Me heshtjen e tij, si dhe me britmat e mëvonshme, pas humbjes së Olldashit, PD humbi vizionin e saj.
E gjithë beteja e Lul Bashës dhe opozitës se tij ka një kujtesë. Betejën e Sali Berishës në dhomën e tij dixhitale. Të tjerat janë moçal politik. Me rrezikun ekstrem se opozita po humb veten e saj dhe të ardhmen opozitare të saj. Dhe me rrezikun që PD do mbetet pa liderin e saj, të cilit më shumë ia shoh të ardhmen në Holandë sesa në Shqipëri.
Olldashi, për dallim nga Basha, kishte bindje, e njihte dhe e shijonte PD-në. Doktori mund të mos e pranojë, por jeta politike me Bashën e ka bërë politikisht të padurueshëm dhe fuqia e tij po ia konsumon edhe të shkuarën, edhe liderizmin, edhe punët e tij për Shqipërinë.
Çfarë platforme kishte propozuar Olldashi pas zgjedhjeve?
Si anëtar besnik i Partisë Demokratike, Olldashi ka bërë betejë. Synimi i tij i përhershëm ka qenë dhënia e kontributit për ringjalljen e shpejtë të Shqipërisë nga përvojat dhe pasojat e tmerrshme të diktaturës komuniste.
“Unë jam bashkuar me Partinë Demokratike i motivuar fuqishëm nga misioni që Shqipëria dhe shqiptarët një herë e përgjithmonë të mposhtin dhe pamundësojnë kthimin
e regjimit që Shqipërinë e katandisi në errësirë të plotë”, thoshte Olldashi.
Ai tërhiqte vërejtjen se vetëm fryma e djathtë ka mundur që për një kohë të shkurtër ta çrrënjoste një ndër sistemet më të padrejta që ka njohur njerëzimi, duke ndërtuar institucionet demokratike dhe infrastrukturën kapitale të vendit; se vetëm vizioni i pakompromis në angazhimin e mijëra anëtarëve dhe votuesve të Partisë Demokratike dhe të frontit të mendimit të djathtë dhe liridashës, liberal, ka mundur ta shndërrojë kaq rrënjësisht dhe kaq shpejt Shqipërinë nga një vend tmerrësisht i izoluar dhe i stërmunduar, në një vend me shoqëri të hapur, me ekonomi të tregut të lirë dhe në zhvillim e sipër, me marrëdhënie të mira me botën demokratike, një shtet që është faktor i stabilitetit dhe urtësisë politike në rajon dhe më gjerë dhe është ndër vendet më stabile në zhvillim mes vendeve të ish botës komuniste.
“Lufta jonë parimore me një trashëgimi kaq tragjike dhe ballafaqimi me probleme kaq të mëdha s’kishte se si të mos na linte edhe pa plagë dhe dëmtime, si ato të vitit 1997, ose si humbja e thellë në zgjedhjet e 23 qershorit. Prandaj, është e domosdoshme ndarja e përgjegjësisë për humbjen”, thoshte Olldashi.
Sali Berisha mori përsipër përgjegjësinë për humbjen e zgjedhjeve, duke dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet partiake. Kjo, siç shprehej Olldashi, ishte një sakrificë e madhe e tij, për t’i shfajësuar edhe të tjerët nga bashkëpërgjegjësia.
“Personalisht do të parapëlqeja që përgjegjësinë për 23 qershorin ta ndanim të gjithë ne që jemi brenda strukturave të partisë, sipas peshës së asaj që kemi bërë, ose nuk kemi bërë (dhe që duhej ta bënim). Të gjithë ne jemi përgjegjës për mos hetimin ose mos parandalimin me kohë të proceseve degraduese dhe të të gjithë atyre faktorëve që çuan deri te humbja e besimit ndaj Partisë Demokratike tek një pjesë e elektoratit”, kishte kërkuar Olldashi në platformën e tij.
Berisha u tregua mëshirues dhe mirëkuptues, duke e krijuar një strehë në njërën anë, por ishte e padrejtë mungesa e ndonjë ballafaqimi të hapur me përgjegjësitë individuale dhe grupore brenda PD. Ai kishte fshehur fajin në PD, për shkak se, qoftë nga oportunizmi, qoftë nga vetëkënaqësia miope, nuk janë treguar dhe diskutuar seriozisht simptomat e krizës që e çuan atë drejt humbjes. Ai i zhveshi të gjithë nga përgjegjësia. Ai nuk la debat që të tjerët ta dinin çfarë po ndodhte në PD.
E nëse kjo është fshehur, që Olldashi e thoshte me zë, ky assesi s’mund të ishte faji i dikujt tjetër, por faji i PD-së, sepse anëtarët dhe kryesia e saj nuk janë treguar vigjilentë për atë që po ndodhte dhe nuk kishin biseduar sinqerisht me njëri- tjetrin për problemet.
Duke kujtuar Olldashin dhe heshtjen e PD-së së tashme, duket se për këtë gjë nuk mund dhe nuk do të duhej ta mbajë përgjegjësinë Berisha. Përgjegjës janë ata që ishin më afër bazës, më afër votuesve, më afër kërkesave të kohës, më shumë të zhytur në marrjen e vendimeve për çështjet ekonomike dhe sociale që çuan edhe deri te ulja e ndikimit të së djathtës. Kjo hapësirë u shfrytëzua nga forcat e majta, për t’u fuqizuar. Dhe te ky fuqizim, kam parasysh sidomos LSI-në, partnerin e deridjeshëm të PD-së në qeverisje.
Me zgjedhjen e Lul Bashës si kryetar të PD-së, ai dhe Berisha nuk reflektuan arsyen e humbjes së 23 qershorit dhe nuk menduan për gjetjen e rrugëve që do ta kthenin sërish filozofinë dhe praktikën politike të së djathtës në një vizion motivues dhe ngadhënjimtar. Kjo filloi keq, sepse procesi i përzgjedhjes së kryetarit të ri të partisë nuk ishte krejtësisht transparent dhe demokratik. Një proces i tillë do të garantonte fuqizimin e Partisë Demokratike dhe do të hapte shtigjet për rikthimin në pushtet.
Që në fillim të garës nuk ishin përcaktuar disa rregulla të mirësjelljes, në mënyrë që të evitohej çdolloj konfliktualiteti ose çarjeje e brendshme gjatë procesit zgjedhor. Basha nuk arriti t’i prijë një procesi të reflektimit për gjendjen e sotme dhe të ardhme të PD-së, duke e çuar kështu deri në fund çështjen e përgjegjësive të secilit individ që ka investuar në ngritjen e PD-së dhe që tash ballafaqohet me këtë humbje të ndjeshme dhe me pafuqi.
Platforma konkurruese e Lul Bashës, i ndihmuar nga Berisha, për postin e kryetarit të Partisë Demokratike, është dashur të bazohet në parimin e qasjes së dinjitetshme ndaj humbjes, ku nga vetja dhe e gjithë anëtarësia e PD-së, por edhe nga partitë simotra të spektrit të djathtë, do të kërkohej nxjerrja e mësimeve të dobishme nga përvoja e 23 qershorit.
Shqipëria nuk mund të përparojë pa PD-në dhe pa udhëheqjen ose veprimet përmirësuese të së djathtës, të cilat do të siguronin se nuk do të ketë shmangie në rrugën që Shqipëria ka marrë si shoqëri dhe si shtet. Programi dhe platforma e PD-së është dobësuar si opozitë e fuqishme në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe në institucionet tjera, sepse gara për PD kishte nisje të keqe dhe vazhdim te pakuptimtë e pa vizion. PD nuk mblodhi forcat, nuk analizoi dobësitë e gabimet, ndërsa pa kritikë filloi hartimin e një platforme të re– që mbeti platformë joreflektuese.
Çka i mungoi platformës?
Sipas Olldashit, elektorati i djathtë duket se ka pasur pritshmëri për një zhvillim më të shpejtë të vendit nën udhëheqjen e PD-së. Ai thoshte se PD e ka neglizhuar këtë pritshmëri, duke u përqendruar më shumë në promovimin e rezultateve të arritura, e jo në eliminimin e shqetësimeve. Kjo e shpjegon edhe dështimin në bastionet e së djathtës.
PD është ndjerë tepër e sigurt në përkrahjen e mbështetësve tradicionalë dhe nuk ka marrë seriozisht sinjalet e pakënaqësisë së tyre. Shumë prej tyre, u ndjenë të neglizhuar. Këtë situatë e kishte shfrytëzuar PS, e sidomos LSI, për ta rritur numrin e votave.
Pas kësaj, nuk ka pasur një analizë të thellë të këtij fenomeni dhe PD as që ka provuar të reflektojë e t’i kuptojë arsyet e kësaj rrjedhjeje të elektoratit të djathtë drejt LSI-së. Berisha dhe Basha e mohuan këtë shqetësim për gjetjen e strategjisë së kthimit të besimit tek PD-ja dhe e djathta. Ata shqetësimin e kishin vetëm demagogjik. Ata mohuan një proces të dialogut të sinqertë me të pakënaqurit. Ata vazhduan dhe iu qasen LSI-së me përkulje, duke e gjetur kthimin e pushtetit përmes saj. Kështu, ata e lanë PD-në në koncept moçali. Atyre u mungoi dëshira që elektorati i së djathtës ta shohë sërish PD-në si forcë ndryshimi dhe përparimi.
Rruga drejt rikthimit të Partisë Demokratike në pushtet, me këtë politikë, do të jetë e gjatë dhe e mundimshme. Lul Basha ka dy beteja. E para, ta fitojë betejën me Sali Berishën. E dyta, ta fitojë betejën me elektoratin.
Beteja tjetër është betejë për pushtet. Gjykojeni vetë sa larg është kjo betejë.
Prandaj, kisha përkrahur Sokol Olldashin për kryetar të PD-së. Sepse, ai tash do ta bënte vetëm betejën për pushtet dhe jo atë për të fituar betejën me karizmën e Sali Berishës. (Lapsi.al)
Diskutime rreth kësaj post