Me urdhër të Prokurorisë, policia greke ka publikuar emrat dhe fotografitë e 145 të arrestuarve në aksionin e saj të fundit të koduar “Himaira”, të cilët ishin pjesë e një rrjeti që trafikonte sasi të mëdha lëndësh narkotike.
Midis tyre ndodhen edhe 30 shtetas shqiptarë, ndërsa kreu i rrjetit, i konsideruar baroni i drogës dhe që sipas përgjimeve telefonike quhet Genti, ndodhet në Shqipëri dhe është shpallur në kërkim.
“Rrjeti është strukturuar në mënyrë hierarkike në 7 nivele, si më poshtë: Në nivelin më të lartë është vendosur nje shtetas shqiptar, që ndodhet në Shqipëri, i cili është udhëheqës i organizatës. 4 shtetas shqiptarë janë krerët që japin urdhra në këtë organizatë. 7 persona, nga të cilët 3 shtetas shqiptarë dhe 4 vendas, ishin aktivë në prodhimin dhe kultivimin e kanabisit”, tha Teodoros Chronopoulos, zëdhënës i policisë greke.
Gjithashtu 3 grekë të tjerë ishin të ngarkuar me ngarkimin dhe transportin e lëndëve narkotike nëpërmjet kufirit greko-shqiptar; 20 persona, prej të cilëve 17 shtetas shqiptarë, ishin operatorët e vendeve të magazinimit të drogës; dhe 10 të tjerë, prej të cilëve 6 shtetas shqiptarë, ishin korrierët e drogës në fazën përfundimtare duke e trafikuar atë në disa zona të qendrës së Athinës.
Rrjeti është asgjësuar pas përgjimeve prej 8 muajsh të policisë dhe Departamentit të Antidrogës, ndërsa është konstatuar se disa anëtarë të tij realizonin edhe të ashtuquajturat kontrata të vdekjes në bashkëpunimin midis shtetasve shqiptarë dhe atyre nigerianë.
Policia vlerëson se kjo organizatë ka trafikuar nga Shqipëria në këto 8 muaj më shumë se 1.2 ton kanabis, 2 kg kokainë, gjysmë kg heroinë dhe lëndë të tjera narkotike, vlera totale në treg e të cilave kalon shifrën prej 19 milionë eurosh.
Pakot e drogës, të ardhura nga Shqipëria, veçoheshin për nga cilësia duke vendosur mbi to figurat e letrave të bixhozit, ku “fanti spathi” ishte cilësia më e mirë dhe shitej 1 kg për 2.000 euro. Pjesëtarët përdornin në bisedat telefonike emërtime të veçanta për drogën, si “letra” për paratë, “ndriçues, kaçkavall apo zambon” për hashashin, dhe “qumësht, miell, kos ose pulë” për kokainën.
Diskutime rreth kësaj post