Kur ndezja e qirinjve dhe fishekzjarreve të ndriçojë ndërrimin e viteve në sheshet kryesore të qyteteve tona, shumë shqiptarë kanë zgjedhur të udhëtojnë drejt kryeqyteteve të tjera plot drita që shënojnë spektakël.
Nga viti në vit në Europë apo edhe më larg, njerëzit nisin dhe planifikojnë pushimet e festave të fundvitit shumë kohë më parë, në Shqipëri as që bëhet fjalë se mund të ndodhë kjo gjë. E kjo nuk lidhet me maninë që kanë të huajt për të përfituar nga ato që njihen si paketat ekonomike të minutës apo sekondës së fundit, por me të “kujtuarit”. Drejtuesit e agjencisë ATHS thonë se gjithnjë e më shumë, kjo tendencë po vihet re te shqiptarët që kërkojnë të kalojnë pushimet jashtë. Ata e lidhin më shumë këtë me mungesën e kulturës për të planifikuar në kohë sesa me synimin për të përfituar nga ofertat më ekonomike.
Agjencitë kryesore turistike në vend, konfirmojnë rritjen e kërkesës për të kaluar festat e fundvitit jashtë vendit ndërsa na njohin edhe me destinacionet e preferuara dhe disa prej ofertave të tyre. Agjencitë janë organizuar të sigurojnë paketa sa më të lira, duke bërë zgjedhje që ulin kostot e transportit. Për fluturime po zgjidhen gjithnjë e më shumë aeroportet e shteteve fqinje në Ballkan, destinacione të arritshme me autobus, apo automjetet private.
Vihet re po ashtu prirja për destinacione të afërta. Mali i Zi, Maqedonia janë destinacione të preferuara si për Krishtlindje dhe fundvit. Ato preferohen nga familjarët, të cilët mbërrijnë në hotelet e prenotuara me mjetet e tyre të udhëtimit.
Një mënyrë tjetër për të shijuar festat e fundivitit është organizimi i udhëtimeve në grup, që padyshim ka edhe kosto më të ulët. Paketat përfshijnë disa qytete, udhëtimi nuk është luksoz pasi në të shumtën e rasteve bëhet me autobus, por mund të vizitohen disa qytete e të qëndrohet disa ditë në Romë apo Paris për 400-500 euro.
Disa agjenci raportojnë rritje të kërkesës për pushime në vendet arabe. Dubai, Abu Dhabi, mund të vizitohen këtë fundvit për 900 euro dhe pushimet njëjavore atje mund të shfrytëzohen për shëtitje në safari, trajtime estetike dhe gjithë sharmin që ofron një vend i ngrohtë dhe i pasur.
Krishtlindjet në Barcelonë, për 7 ditë ofrohet për 359 euro. Krishtlindjet në Vjenë dhe Budapest, 5 Ditë ofrohen për 199 euro. Krishtlindjet në Paris për 7 ditë qëndrimi ofrohen për 349 euro.
Ndërsa më lirë janë destinacionet në vendet fqinje. Krishtlindjet në Dubrovnik, për 3 ditë qëndrimi ofrohen për 69 euro. Krishtlindjet në Kolashin, 3 ditë blihen për 62 – 169 euro, ndërsa në Strugë, 3 ditë ofrohen për 39 euro.
Diskutime rreth kësaj post