Nga Skënder Minxhozi
Ngrirja që Gjykata Kushtetuese i ka bërë ligjit të Vetingut, kishte në bazë të saj vendimin për të marrë një “amicus curiae” nga Komisioni i Venecias. Pra një këshillë të paanshme miqësore, nëse perifrazojmë shprehjen latine, në lidhje me kushtetutshmërinë e këtij procesi të rëndësishëm, që do të kalojë nëpër sitën e verifikimit figurën, profesionalizmin dhe pasuritë e gjyqtarëve e prokurorëve të Shqipërisë. Prej ditës së dërgimit në Venecia ka rrjedhur shumë ujë nën ura dhe tashmë një përgjigje zyrtare e Komisionit pritet brenda pak orësh.
Si në çdo fabul politike të rëndësishme të 25 vjetëve të fundit, edhe fati i Vetingut shqiptar ka brenda një dozë kaosi dhe paqartësie, ku ndërthuren mungesa e seriozitetit, interesat politike dhe ato personale e bërrylat që po merr prej kohësh e gjithë paketa kushtetuese e reformës në drejtësi. Po luajnë hapur dhe shëmtuar kundër reformës të gjithë ata që preken direkt apo indirekt nga ajo.
Pak ditë pas dërgimit në Venecia të ligjit të Vetingut, në Tiranë ka shpërthyer një valë nismash për të paditur aspekte dhe ligje të veçanta të paketës së reformës në drejtësi. Që nga kreu i shtetit, një institucion i përdorur gjithnjë e me më pak elegancë dhe integritet nga Bujar Nishani, në sulm janë hedhur gjyqtarët e prokurorët, të cilët duken insistues në vullnetin për të penguar fillimin e zbatimit të asaj që u votua në thelb në 21 korrik të këtij viti nga të 140 deputetët e Parlamentit shqiptar.
Është koha që Gjykata Kushtetuese të vendosë rregull në këtë pazar të rrezikshëm politik dhe institucional. Eshtë koha që ajo dhe përgjithësisht edhe institucionet e tjera të sistemit të drejtësisë të hiqen mënjanë lojës politike që po luhet prej dy vjetësh me reformën në drejtësi. Në vend që të sugjerojnë se nga duhej nisur korrigjimi i sistemit demokratik në Shqipëri, siç bëri Vladimir Kristo, gjyqtarët e Kushtetuese do të bënin mirë të mos humbasin në përkthim si opozita, për të përdorur shprehjen e njohur britanike.
Loja me draftet e ligjit të Vetingut ka shumë pak gjasa të bindë dikë në Venecia se këtu po bëhet një grsuth shteti kundër lirive e të drejtave të gjyqtarëve e prokurorëve. Për arsyen e thjeshtë sepse parimet e Vetingut jo vetëm që janë pjesë integrale e Kushtetutës së Shqipërisë që nga 21 korriku, por sepse vetë procesi i verifikimit të imtësishëm të sistemit të drejtësisë ka marrë prej kohësh dritën jeshile nga Komisioni i Venecias, ashtu siç është mbështetur politikisht dhe financiarisht nga demokracitë më të fuqishme të Perëndimit.
Mbetet të shihet në këto kushte, se cila do të jetë sjellja e Gjykatës Kushtetuese, pasi Venecia të ketë folur. A do të marrë kjo gjykatë një vendim që do të pasqyrojë këshillën miqësore të venecias, apo do të vijojë që të koordinojë në distancë qëndrimet me opozitën? A do të flasë Kushtetuesja gjuhën e Komisionit të Venecias, cilado qoftë ajo, apo do të vijojë hezitimin dhe mëdyshjet që vlejnë vetëm për të blerë kohë?
Diskutime rreth kësaj post