Nga Armand Shkullaku
Kancelarja Merkel ndoshta ka shënuar një rekord me deklaratën më të shkurtër të bërë ndonjëherë në krah të një homolugu të huaj, ditën që doli me Edi Ramën në krah gjatë një vizite zyrtare të këtij të fundit në Berlin.
Angela Merkel foli pak më shumë se dy minuta për të përsëritur atë që veshët e shqiptarëve kanë kohë që e dëgjojnë. Nuk kishte se çfarë të thoshte më shumë. Drejtësia, krimi dhe korrupsioni, zgjedhjet. Të treja probleme ekskluzivisht tonat, të treja problem i pakapërcyeshëm i tranzicionit shqiptar.
Por kryeministri shqiptar, i cili natyrisht foli shumë më gjatë se kancelarja, madje e stërzgjati shtjellimin e tij edhe në mediat gjermane, asnjë nga tri problemet e përmendura nuk i konsideroi si fenomene që prekin edhe qeverisjen e tij. Madje atë të zgjedhjeve e fshiu fare nga deklarata e kancelares që e ribotoi në facebook. Ai foli për amanetin e etërve themelues, që tani historia e ka sjellë mbi shpatullat e tij për t’a shpënë në vend, tha se korrupsioni e krimi janë shqetësuese edhe për vende anëtare të BE, tregoi se ai ka fatin e zi të ketë një opozitë sabotuese dhe kërcënoi se Putini dhe ISIS do ia behin në portat e Shqipërisë nëse asaj i mbyllen ato të Europës. Tha e ç’nuk tha, por asnjëherë të vetme nuk e ktheu gishtin nga vetja.
Nga gjithë ethja propagandistike e kryeministrit, tentohet të krijohet përshtypja se ai dhe qeveria që drejton i kanë kryer të gjitha detyrat dhe vetëm bllokimi që opozita i paska bërë vetingut, po pengon integrimin, se ajo është kuçedra që ka ndalur ujin në buzët e thara të shqiptarëve. Por nëse është vërtet kështu, atëherë pse duhet alarmuar BE me rrezikun rus dhe islamin radikal? Pse i duhet thënë BE, na hapni negociatat se ndryshe do të përfitojnë forcat anti europiane? Një ditë vetingu do të funksionojë dhe vendi menjëherë u bëka pjesë e BE.
Pikërisht ky “shantazh” i liderit global ndaj Brukselit, nxjerr në pah se vetingu ose më mirë reforma në drejtësi është një kusht, por jo i vetmi. Sepse të tjerat janë gjithashtu një kusht. Edhe lufta kundër krimit e korrupsionit, edhe droga, edhe zgjedhjet, edhe gjendja e mjeruar ekonomike, edhe standartet e shëndetësisë, edhe numri i lartë i azilkërkuesve. Nga të gjitha këto, kryeministri shqiptar zgjedh të flasë për vetingun (armiku i brendshëm) dhe për të tjerat kërkon që BE të mbyllë sytë, për hir të rrezikut rus e islamik, (armiku i jashtëm) dhe të na pranojë kështu siç jemi.
Puna është se Brukseli nuk i bën llogaritë aq trashë sa ç’i bën Edi Rama. Atje nuk funksionon llogjika, të mbyllim një sy e një vesh për standartet, që Shqipërinë të mos e marrë rusi e që terroristët të mos pushtojnë Ballkanin. Qeveria shqiptare është përgjegjëse për raportet që ndërton me shtetet e tjera, përfshi edhe Rusinë, ashtu siç është përgjegjëse edhe për sigurinë.
Problemet që ka Shqipëria me drogën, korrupsionin e zgjedhjet e lira, nuk janë probleme kriteresh që i kanë edhe vende të tjera të BE. Vetingu nuk është kushti i vetëm, plotësimi i të cilit na dërgon në BE dhe aty pastaj monitorohen edhe këto kriteret e tjera. Edi Rama e di, që pengesë për hapjen e negociatave është edhe pasiguria që shumë shtete të BE ndjejnë se u vjen nga krimi dhe droga made in Albania. Pengesë janë edhe standartet e zgjedhjeve që krijojnë tension politik, i cili dëmton miratimin e reformave sipas formatit europian. Pengesë është edhe korruspioni në nivelet më të larta, që fare lehtë mund të prodhojë destabilitet dhe anarki. Pengesë është edhe përfshirja e elementëve kriminalë në sfera të larta të vendimarrjes, e që nesër, me të njëjtat metoda, mund të bëhen edhe eurodeputetë.
Këto pengesa Edi Rama kërkon t’i kapërcejë duke tundur hijen e Putinit dhe terrorizmit. Në fakt shqiptarët, dhe Brukseli po ashtu, e dinë që problemi nuk është Vladimiri, por Sajmiri dhe Iliri. Pasiguria dhe korrupsioni. Rama ka në dorë të merret me këta të dy, pra me qeverisjen e tij, dhe të garantojë standarte normale për vendin që drejton. Me Putinin dhe ISIS ka se kush merret. Ka shembullin e liderit lokal, mikut të tij Vuçiç, Serbia e të cilit ndonëse e nisi shumë më vonë procesin e integrimit se sa Shqipëria, dhe me një problem të rëndë për të zgjidhur si Kosova, është një hap përpara liderit tonë global.
Prandaj, kryeministri shqiptar, përpara se të shpartallojë armikun e brendshëm e të jashtëm, duhet të bindë në radhë të parë qyetarët shqiptarë, e pastaj edhe Brukselin, se po garanton standarte normale jetese, se po lufton krimin e korrupsionin dhe po ndërton një sistem demokratik europian. Ai duhet të garantojë për Sajmirin dhe Ilirin përpara se të përdorë ISIS-in e Vladimirin. Në të kundërt kthehet vetë në një karikaturë të Putinit, që dështimin e brendshëm e projekton si pasojë e anktheve e frikërave të Europës në njërën anë dhe të opozitës- armike e mediave- kazan në anën tjetër. Këtë karikaturë të putinizmit, Merkel dhe Europa, vështirë ta honepsin edhe me veting të aprovuar, edhe me ekspozita për të shikuar, edhe me barsaleta për të dëgjuar. Ky është momenti kur Edi Ramës i duhet të tregojë punë konkrete. Me aftësitë oratorike mund të hedhë përroin e lagjes tonë, por nuk e kapërcen dot lumin e Brukselit. /mapo/
Diskutime rreth kësaj post