Ka përfunduar pa gola derbi i zhvilluar në dy ditë mes Tiranës dhe Partizanit. 27 minutat e mbetura nuk patën raste për shënim nga skuadrat, ndërsa për t’u përmendur mbetet vetëm kartoni i kuq i marrë nga kapiteni i Tiranës, Erando Karabeci, i cili u ndëshkua për dy ndërhyrje të gabuara.
0-0, një rezultat që nuk kishte si të ndryshonte edhe nga minuti i vetëm shtesë që u akordua nga arbitri i katërt.
“Selman Stërmasi” u pushtua nga errësira e plotë një ditë më parë për shkak të një problemi me energjinë elektrike, duke detyruar vëzhguesit e Federatës Shqiptare të Futbollit të marrin vendimin për ta shtyrë këtë sfidë për ditën e sotme, ku gjithçka nisi nga minuta e 63, kur edhe ndodhi defekti teknik.
Deri në momentin e ndërprerjes së sfidës, skuadrat shfaqën në fushë e lojës përpjekjet e tyre për të sulmuar e për të fituar përballë tifozëve respektive që e kishin shfrenuar fantazinë e tyre me koreografinë e krijuar.
Tirana ishte ajo që krijoi rastet e para për shënim me Karabecin, Cisse dhe me Marveile, por Hoxha dhe fati nuk lejuan që topi të hynte në rrjetë. Partizani nga ana e tij u kundërpërgjigj në 17 minutat e fundit të kësaj pjesë fillimisht me Ekuban e më pas me Bathën, por edhe këta futbollistë nuk mundën të shënonin.
45 minutat e dyta filluan me një rast të Cisse, që u ndal nga portieri i partizanit Alban Hoxha. Pas një periudhe qetësie në fushën e lojës ndodhi dhe e papritura kur u shfaq problemi me energjinë elektrike që detyroi skuadrat të shkonin përpara kohe në dhomat e zhveshjes pikërisht me sfidën të mbërthyer në barazimin 0-0.
Diskutime rreth kësaj post