Ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka deklaruar se opozita e sotme e la vendin në gjendje të falimentuar ekonomike kur la pushtetin. Duke folur në seancë plenare, Ahmetaj ka publikuar edhe shifrat që tregojnë sipas tij situatën që mund ta çonin Shqipërinë drejt një skenari grek.
“Në 2013 gjetëm një shtet të falimentuar nga disa njerëz, që sot bëjnë kukuvajkën sepse shpresonin se Shqipëria do të përfshihej nga një skenar grek. Kur erdhëm në pushtet gjetëm një borxh publik prej 70.4 për qind, sipas FMN. Defiçiti vjetor, i shpenzuar që në gjysmën e parë të vitit, duke pamundësuar qeverinë e sapo ardhur të financonte veprimet e përditshme. Kjo do të thotë se një qeveri e papërgjegjshme të gjithë shumën e lejuar me ligj të defiçitit buxhetor e kishte harxhuar komplet”, ka thënë Ahmetaj.
Ai ka nënvizuar se, “nëse qeveria e re nuk do të kishte bërë asgjë, më 23 tetor nuk do të kishte para as për pagat e policisë, shëndetësisë dhe as për pensionet”.
“Të njëjtët njerëz që vijnë këtu për herë të tretë në tentativë të dështuar për të rimarrë të drejtën për të falimentuar sërish Shqipërinë e lanë pushtetin me 726 milionë dollarë borxhe nën tryezë. 200 milionë dollarë ishin detyrime të papaguara, 44 milionë dollarë të mohuara ndaj njerëzve me aftësi të kufizuara, 30 milionë dollarë gjoba elektorale, 150 mln euro humbje në vit në sistemin energjitik”, ka thënë Ahmetaj.
“Çfarë patët me ish-ushtarakët që u mbajtët 10 milionë dollarë, me fermerët që u premtuat se do t’u rimbursonit 60 për qind të TVSH-së?”, është shprehur ai.
Ministri i Financave ka shtuar se, buxheti i ri është buxheti i reformave madhore të Shqipërisë, “që ka bërë të mundur kthesën më të madhe në historinë e këtij vendi”. “Është buxheti i konsumit të qytetarit”, ka thënë Ahmetaj.
Ai e ka vënë theksin edhe tek aplikimi i taksës progresive, “përmes të cilës në 4 vite i kemi kthyer mbrapsht 440 milionë dollarë. Tatimi progresiv ka ulur barrën për qytetarët”, ka shtuar Ahmetaj.
Ministri ka bërë të ditur edhe aspektet pozitive që sjell paketa fiskale.
“Kjo është qeveria e parë që ka vendosur kufirin fiskal, që nuk lejon asnjë qeveri të rrisë borxhin publik. Brenda mandatit të dytë borxhi publik shkon 60 për qind. Nuk do të ketë asnjë taksë për gazin, nuk do të paguani asgjë. Gënjejnë. Vetëm do të disiplinohet shitja e gazit me zero taksë. Reduktimi i akcizës për duhanin e prodhuar në vend me gjysmën e saj. Paketa fiskale është një paketë incentivuese që ul barrën fiskale dhe lehtëson procedurat. Do të rriten pagat dhe pensionet me 100 milionë dollarë, që nuk ka ndodhur asnjëherë”, ka shtuar Ahmetaj.
Diskutime rreth kësaj post