Emisioni investigativ “Le Iene” në Itali ka sjellë rastin e disa të miturve shqiptarë të cilët deklarohen si të braktisur me të mbërritur në Itali me qëllim që të përfitojnë dokumente qëndrimi. Me anë të një kamere të fshehtë, gazetarët kanë siguruar dëshminë e disa të rinjve shqiptarë që kanë treguar rrugën që kanë ndjekur për të marrë dokumentet në Piacenza të Italisë. Me të mbërritur në Itali, ata deklarohen të braktisur dhe thonë se nuk kanë asnjë të afërm në Itali, madje nuk dinë as të flasin italisht.
“Më ka sjellë babi, më ka shoqëruar në polici dhe më ka lënë të hyj vetëm. Duhet të shkosh direkt në polici, por duhet të hysh vetëm, nuk duhet të të shohin që nuk ke ardhur vetëm. Absolutisht nuk duhet të thuash që ke një të afërm në Itali, as një shok, as një kushëri, as një komshi, askënd! Duhet të thuash që je nis vetëm e nuk njeh askënd”,-shpjegon shqiptari.
Ndër të tjera ai shton: “Ti thuaj që nuk kupton italisht dhe ata të mbajnë 2-3 orë për të plotësuar dokumentet e më pas të çojnë në një qendër për minorene. Është shumë e thjeshtë, kam shkuar në polici në mëngjes e në darkë i jam bashkuar të tjerëve si puna ime”.
Për të kuptuar si funksionon kjo skemë, gazetari i “Le Iene” ka udhëtuar në Lushnje ku ka intervistuar dy banorë që thonë se mashtrojnë autoritet italiane nga nevoja që kanë për të sistemuar fëmijët në Itali. “Edhe djali im ka shkuar. Tani ka fituar lejen e qëndrimit. Ka shumë kshu, kanë ik shumë…”,- thotë një qytetare.
Ndërsa një burrë shqiptar thotë: “Shkojnë në Itali për t’u pajis me lejen e qëndrimit, 5 muaj pa mbushur 18-vjeç, kështu të japin dokumentet dhe të mësojnë edhe një zanat…”.
Për këtë rast ka folur edhe këshilltari i komunës së Piacenza, Stefano Cugini, i cili thotë se në konsullatën shqiptare nuk mbajnë përgjegjësi për këtë problem. “Unë nuk po them që këta të rinj duhet të ikin, por përderisa ata kanë prindërit e tyre, është më e drejtë që të rrinë pranë tyre. Përgjegjësia është e politikave të ndjekura nga shteti shqiptar që e di këtë situatë dhe nuk po bën asgjë për ta zgjidhur”, thotë Stefano.
Më pas gazetari i Le Iene ka shkuar në konsullatën shqiptare, dhe ku vetë konsullja i thotë se ka adresuar problemin deri tek ministri. “Ne e njohim problemin, por s’jemi qendër sociale, jemi konsullatë, s’kemi çfarë bëjmë. Kemi vënë në dijeni ministrin…”,- thotë ajo.
Në fund të emisionit gazetarët shprehen se këta të rinj po fitojnë të drejtën e qëndrimit në Itali, pa të drejtë, në vend të tjerëve që mund të vijnë nga zonat e luftës, sic është Siria.
Diskutime rreth kësaj post