Qeveria prezantoi pasditen e kësaj të mërkure planin e saj për modernizimin e administratës publike, duke e vënë theksin tek rritja e rrogave për punonjësit e kësaj kategorie.
Duke marrë fjalën në këtë event, kryeministri Rama ka deklaruar se shërbëtorët e shtetit duhet të vlerësohen për kontributin e tyre në realizimin e reformave të qeverisë së tij.
“Besoj se është momenti që të gjithë ata që i shërbejnë këtij shteti të ndajnë frytet e para të reformave dhe rritja e pagave nuk është thjesht e zakonshme, por është dhe një shpërblim i merituar për gjithë mbështetjen që ata i kanë dhënë reformës”, ka thënë Rama.
“Ne kemi pagën më të ulët në shtet sot për gjithë shërbimet mbështetese po themi, e kemi 220 milje lekë të vjetra. Me këtë paketë e çojmë pagën më të ulët në shtet 375 mijë lekë të vjetra, a është mjaft, nuk është mjaft. Po a është shumë më tepër për njerëz rropaten për të krijuar kushtet higjenike, logjistike të punës në administratë prej nuk mbahet mend se kurrë me 220 mijë lekë të vjetra”, u shpreh Rama.
Në vijim të fjalës së tij Rama i ka quajtur “përralla” pretendimet e opozitës se qeveria e tij ka rritur taksat. Ai ka theksuar se, në rreth 3 vjet e gjysmë kjo qeveri ka bërë shumë më tepër se qeveria e kaluar në 8 vjet, duke shpenzuar 540 milionë dollarë për fuqinë blerëse.
Më herët, ministri i Financave Arben Ahmetaj sqaroi se, pagat për administratën do të rriten 7 për qind dhe se fondi për këtë rritje shkon 7.2 miliardë në nivel 12-mujor.
“Ka një fond tjetër për transferimet nga administrata publike në atë lokale dhe është hera e parë që ka një shumë kaq të konsiderueshme në dispozicion të administratës publike, duke filluar nga mjekët e duke vazhduar me mësuesit, policët, ushtarët”, tha Ahmetaj.
Shefi i financave shqiptare nënvizoi se, paketa e rritjes do të ketë edhe një “fytyrë sociale” sa i përket pagave të ulëta. “Kjo rritje bazohet tek suksesi i reformës, tek rritja e pagave pa borxh”, shtoi Ahmetaj.
Diskutime rreth kësaj post