Rikandidimi i presidentit Nishani, për deputetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim Spartak Braho, mbetet thjesht një “ëndërr në sirtar”.
Braho thotë se Presidenti ka përcjell mesazhe përçarëse dhe shumë veprime të tij kanë qenë të pasakta politikisht e ligjërisht.
“Kjo është një ëndërr e parealizueshme për këtë President. Dikush i ka thënë që është kryetar i Partisë Demokratike. Mjaft veprime të tija, jo vetëm kanë qenë të pasakta ligjërisht dhe politikisht, por kanë përcjellë mesazhe përçarjeje”, tha Braho.
Në cilësinë e kreut të komisionit të sigurisë, Braho e quan shqetësuese çështjen e përgjimeve dhe kërkon që ato të goditen me ashpërsi. Përgjimet nuk duhet të përdoren për qëllime politike shton ai.
“Mandatin tjetër, Rama apo kushdo që do të drejtojë qeverinë ta shikojë këtë punë me seriozitet. Përgjimet e paligjshme duhen goditur me ashpërsi. Duhet kuptuar që çdo përgjim është i nevojshëm, por kur realizohet për interesa të shtetit”, thekson Braho.
Për kultivimin e kanabisit Braho kërkon t’i jepet fund njëherë e mirë këtij fenomeni që thotë se ka përzier varfërinë me grupet kriminale.
“Është një fenomen që lidhet me varfërinë. Kam përshtypjen se strukturat e shtetit u gjetën të papërgatitura për këtë lloj masiviteti, por shpresoj se në të ardhmen ky problem të gjejë zgjidhje”, shprehet ai.
Deputeti i LSI-së Spartak Braho është një nga zërat kritik ndaj kreut të shtetit, por edhe për çështjen e përgjimeve, ç’ka ka shkaktuar përplasje edhe brenda mazhorancës.
Diskutime rreth kësaj post