Në prag të derbit të radhës mes Tiranës dhe Partizanit, ku përveç spektaklit nuk kanë munguar as incidentet, policia e kryeqytetit bën apel për vetëpërmbajtje të tifozërive respektive. Rreth 700 forca policore do të jenë në gatishmëri, ndërsa nën vëzhgim do të jenë tifozët e “listave të zeza”.
“Tifozët do të jenë nën vëzhgim para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes. Kemi të identifikuar tifozët problematikë. I kemi me video e foto dhe, nëse do të krijojnë probleme, nuk do të lejohen. Bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje, pasi edhe ne jemi pjesë e derbit”, tha Dimitraq Ziu, zv.drejtor i Policisë së Tiranës.
Për të ulur tensionet e takimit që do të luhet pasditen e së enjtes në stadiumin “Selman Stërmasi”, uniformat blu pritën në takime të veçanta edhe grupimet e tifozerisë bardheblu dhe asaj të kuqe. Por garantimi i sigurisë për një ndeshje të tillë ka dhe një kosto financiare për policinë, e cila shkon më shumë se 800 mijë lekë.
“Ka një vështirësi reale, që ende nuk po gjen zgjidhje. Policia do të dalë nesër në shërbim në orën 15 dhe do ta mbyllë shërbimin deri në largimin e tifozit të fundit në banesë”, tha Dimitraq Ziu.
Diskutime rreth kësaj post