Austriakët do të zgjedhin të dielën mes një populisti dhe një të moderuari për president, ndërkohë që të dy kandidatët shpresojnë të shfrytëzojnë efektin “Trump” në vendin e parë të Bashkimit Europian që përballet me një zgjedhje të tillë, që prej zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
Sondazhet tregojnë se shumica e austriakëve mendojnë se populisti Norbert Hofer mbetet favoriti përballë kandidatit të majtë Alexander Van der Bellen, në votimin e 4 dhjetorit. Gjithsesi, kushdo që të fitojë, zgjedhjet kanë një rëndësi përtej asaj se cili do ta fitojë këtë post kryesisht ceremonial.
Mënyra sesi do të ndikojë zgjedhja e Trumpit president në këto zgjedhje, do të ishte një barometër i rezonancës së tij në vende të tjera në zgjedhjet e ardhshme kombëtare, ku janë të përfshirë gjithashtu pretendentë të fuqishëm populistë dhe euroskeptikë të frymëzuar nga triumfi i miliarderit amerikan në zgjedhjet amerikane.
Kandidatja e së djathtës ekstreme në Francë, Marine Le Pen ka mirëpritur fitoren e Trumpit, duke e quajtur atë si “një shenjë shprese”, ndërsa ksenofobi Geert Wilders, i cili shpreson të bëhet kryeministër në Holandë, e ka lavdëruar fitoren e manjatit amerikan si “revolucion”.
Në fjalimin e tij me nota urrejtjeje, Wilders e përshkroi fitoren e Trumpit si fillimi i një lëvizjeje “që rrëfen doktrinat politikisht korrekte të elitave dhe medieve në varësi të tyre”. “Kjo gjë pritet të provohet edhe në Austri”, shtoi ai.
Van der Bellen i fitoi zgjedhjet më herët gjatë këtij viti, por ato u konsideruan të parregullta nga Partia e Lirisë së Hoferit, dhe me vendim gjykate do të përsëriten këtë të dielë. Dhe me fitoren e Trumpit ende të freskët në mendjet e elektoratit austriak, të dy kandidatët shpresojnë të përfitojnë disi.
Van der Bellen tha se shpreson që triumfi i Trumpit të shërbejë si një “thirrje zgjimi” dhe për t’i nxitur votuesit të votojnë për të, duke mos i dhënë shpresa Hoferit. Ky i fundit, mbështetësit e të cilit variojnë nga votues të pakënaqur me parinë politike e deri tek ekstremistët neonazistë, përshëndeti rezultatin e zgjedhjeve amerikane si një fitore e demokracisë, duke kritikuar kundërshtarët që e “qortuan ashpër” Trumpin.
Nga 800 të anketuar në sondazhin e “Gallup” me një marzh gabimi prej 3.5 për qind, 53% e tyre thonë se fitorja e Trumpit do të sjellë përfitime për Hoferin, ndërsa vetëm 9% mendojnë se do të ndihmojë Van der Bellenin. Pjesa tjetër ishin votues të pavendosur.
Analisti Thomas Hofer, i cili nuk është i afërm i kandidatit presidencial, hedh poshtë ndikimin e faktorit “Trump”. Ai thotë se, duke qenë se shqetësimet nga emigracioni dhe frika prej terrorizmit ishin pjesë e të dyja fushatave, “temat e politikës së brendshme në Austri” do të luajnë një rol vendimtar në votën e austriakëve më 4 dhjetor.
Diskutime rreth kësaj post