Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dje homazhet i ka filluar tek varri i Isa Boletinit, në Boletin të Mitrovicës. Ai mori pjesë në një ceremoni festive në Kullën e Isës, me ç’rast u ngrit flamuri kombëtar. Shumë nga të pranishmit Veselin e pritën me fjalët “Mirë se erdhe kryeministër”, ndërsa me të njëjta fjalë është pritur edhe në Drenas nga drenicasit të cilët kanë për zemër PDK-në. Veseli tha në Boletin se kjo ditë – 28 Nëntori, është shumë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët, shkruan gazeta Zeri.
“Për një shekull rresht e kemi festuar këtë ditë të madhe me sy dhe zemër nga Vlora. Sot kësaj feste i shtohet dimensioni i munguar për 100 vjet. I shtohet Boletini, vendlindja e heroit kombëtar Isa Boletinit. Në fillim të shekullit 20-të, kodrës së Boletinit i ngjiteshin sa e sa burra. Vinin nga të katër anët e Kosovës, vinin për të kuvenduar me tribunin popullor për fatet e atdheut, në një kohë të zymtë dhe plot rreziqe për kombin. Sot, ne i ngjitemi përsëri kësaj kodre për të nderuar kujtimin e tyre”, tha Veseli, i cili siguroi se sfidat tani nuk janë sfida lufte.
“Janë sfida për ta forcuar shtetin e së drejtës dhe për ta zhvilluar ekonominë prodhuese. Janë sfida për ta zhdukur varfërinë dhe papunësinë nga familjet tona dhe për t’u krijuar perspektivë të sigurt shkollimi dhe punësimi në vendin e tyre të rinjve tanë. Janë sfida për ta bërë të begatshme Kosovën dhe jetën e qytetarëve në jug dhe veri, në lindje dhe perëndim të saj”, ka thënë mes tjerash kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, në Boletin.
Në manifestimin në Boletin merrnin pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe të tjerë, shkruan “Zeri.info”.
Ndërsa në Prekaz kryeparlamentari Veseli tha se 28 Nëntori është shndërruar në pelegrinazh, në veçanti në vendin ku prehet komandanti legjendar Adem Jashari.
“Janë duke ardhur me qindra mijëra qytetarë anekënd trojeve shqiptare për t’i bërë nderim heronjve tanë kombëtarë, duke kujtuar lirinë tonë, sakrificën dhe në të njëjtën kohë për ta nderuar dhe për ta respektuar flamurin tonë kombëtar”, tha Veseli, i cili shtoi se institucionet e vendit kanë ende shumë punë për të bërë, në mënyrë që “ta kemi një shtet me të cilin krenohet të gjithë qytetarët, të cilët kanë sakrifikuar shumë për lirinë e Kosovës”.
Komandantin legjendar të UÇK-së e kanë nderuar edhe liderë të subjekteve të tjera politike, si dhe kandidatët për kryetar të Drenasit.
Diskutime rreth kësaj post