Presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, nuk do të marrë pjesë në funeralin e Fidel Castros dhe as zëvendësi i tij, Joe Biden. Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, i cili nuk sqaroi nëse do të dërgohej ose jo një delegacion amerikan.
Ndërkaq në sheshin e revolucionit në Havana vazhdon lamtumira e gjatë për “Lider Maximo”. Atje mbërriti edhe presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro, e gjithashtu udhëheqësi kinez Xi Jinping siç bëri të ditur ambasada kubane në Pekin.
Ndërkohë presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kërcënon të minojë përpjekjet për përmirësimin e marrëdhënieve mes 2 vendeve.
“Do t’i jap fund marrëveshjes me Kubën nëse ajo nuk do të përmirësohet në favor të interesave të popullit kuban, kubano-amerikanëve dhe të Shteteve të Bashkuara”, shkroi në “Twitter” lideri i ri i SHBA-së, i cili gjatë fazave të fundit të fushatës zgjedhore nuk e kishte fshehur qëllimin për të penguar hapjen e marrëdhënieve diplomatike me ishullin.
E megjithatë analistët mendojnë se retorika e Trumpit është simbolike e se vdekja e Castros nuk do të ketë ndonjë impakt në lidhjet mes dy vendeve.
“Disa nga gjërat që presidenti i zgjedhur thotë, mund të jenë simbolike, por nuk mendoj se ai do të ndryshojë politikat. Mes mbështetësve të tij ka shumë njerëz që janë pro politikës aktuale”.
Më herët gjatë së hënës edhe Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se mundësia e prishjes së marrëveshjes me Kubën, ishte e largët.
Diskutime rreth kësaj post