Lorenc Goga, administrator i Facile.it, thotë se Shqipëria nuk duhet të trembet, pasi Call Center-at në Shqipëri nuk do të mbyllen.
Në Shqipëri prej pak ditësh është lajm i parë në media se pas miratimit në Dhomën e Deputetëve të Italisë mbrëmjen e datës 24 nëntor të disa amendimeve në ligjin për operimin e shërbimit call center jashtë territorit Italian në Shqipëri, si pasojë e këtij ligji do të falimentojnë të gjithë Call Center duke nxjerrë pa punë 25 mijë të rinjë shqiptarë. Si mendoni se është e verteta në lidhje me këto lajme mediatike shqiptare që kanë krijuar kaos te punonjësit e Call Center ?
Së pari të bësh lajm për sektorin e Call Center në Shqipëri ndikon shumë në një pjesë të madhe të shoqerisë, sidomos tek te rinjtë.
Po flasim për një amendim që i përket dekretit për stabilitet që po diskutohet nga ligjvënësi në Itali. Amendimi është aprovuar vetëm nga parlamenti, por sic e dini Italia ka një sistem dy-dhomesh dhe që ky ligj të miratohet përfundimisht duhet të marrë shumicën e votave edhe në Senat.
Në vetvete ky projekt-ligj mbart disa gabime sepse nëse qëllimi i këtij dekreti do ishte ai i rikthimit të kompanive të telemarketingut në Itali atëhere ky projektligj nuk e ndalon atë sepse këto kompani do të kishin hapësirën ligjore për t’u për tu zhvendosur në shtete si Rumania apo Bullgaria të cilat bëjnë pjesë në Bashkimin Europian. Megjithatë projektligji nuk ka qellim mbylljen e këtyre aktiviteteve në Shqipëri, por me të drejtë shteti italian kërkon të rregullojë marrëdhëniet në lidhje me proceset e delokalizimeve jashtë Bashkimit Europian. Pra do të dëshiroja të qetesoja të gjithë punonjësit e këtij sektori dhe të gjithë kompanive zinxhir se nuk do preken nga këto ndryshime.
Parashikohet, sipas ligjit të ri Italian, që operatorët e Call Center do të kenë detyrimin për të bërë njoftimin e vendndodhjes kundrejt marrësit të telefonatave. A shkakton mungesë interesimi tek italianët nëse ky detyrim përcakton vendin nga bëhet telefonata e një kompanie Call Center?
Rregulli i të përcaktuarit nga gjenerohet telefonata apo ku terminon ekziston dhe zbatohet prej kohesh. Kompanitë serioze të telemarketingut paralajmërojnë klientët për prejardhjen/përfundimin e telefonatave, mënjanë informativave për autorizimin e të dhënave dhe/ose deklarimit që telefonata po menaxhohet nga një partner jashtë Bashkimit Europian.
Deri me tani këto dispozita nuk kanë përbërë asnjë lloj problemi për Call Center, përkundrazi numri i tyre vjen çdo ditë duke u rritur.
Mëqënëse në Shqipëri, edhe si vend fqinjë me Italinë, të rinjtë flasin me pasion dhe mirë gjuhën italiane mendoni se ky Ligj nëse miratohet edhe nga Senati Italian do të nxjerrë në rrugë, pra pa punë, mijëra të rinjë shqiptarë?
Shumeë kompani të telemarketingut para se të vijnë në vendin tonë kanë ushtruar akrivitetin e tyre në vende si Argjentina, Tunizia, Rumania dhe Moldavia, por Shqipëria ka qenë një zbulim i suksesshem për ta sepse vendi ynë ofron punonjës shumë të kualifikuar në gjuhen italiane, punonjës me shumë vullnet, afërsi të madhe gjeografike me vendin fqinjë dhe një klimë të favorshme jetese dhe biznesi për të gjithë investitorët italianë. Në këto kushte nuk është absolutisht në interesin e asnjë kompanie serioze zhvendosja e tyre jashtë Shqipërisë. Nëse ligji kalon procedurat e delokalizimit do të jenë me të gjata, me restriktive dhe me burokratike, por absolutisht nuk do të ndalojnë ardhjen e call center-ave në Shqipëri dhe as më pak mbylljen e kompanive aktuale. Në një vend demokratik dhe kapitalist si Italia nuk mund t’i imponohet biznesit dhe kapitalit se si dhe se ku kompania do zhvillojë aktivitetin e saj. Nëse do të ishte kështu ju siguroj që sipërmarrjet do të gjenin zgjidhje të tjera që nuk do të penalizonin gjithsesi kompanitë e vendosura në Shqipëri.
Kompania juaj Facile.it si lider në këtë treg a mendon se preket dhe rrezikon investimet e saj në Shqipëri? Apo keni ndërmend të ikni nga Shqipëria nëse edhe Senati Italian e miraton këtë Ligj?
Kompania jonë, ashtu si edhe disa kompani të tjera, nuk preken nga ky amendim. Facile.it respekton rregullat dhe direktivat e shtetit italian në lidhje me etiken e punës në sektorin e telemarketingut,ligjet mbi privatesinë dhe autorizimin e të dhënave të klientëve tanë. Pra ne nuk kemi asnjë lloj dëshire apo interesi që të zhvendosim kompaninë jashtë Shqipërisë.
Facile.it e përfaqsuar këtu nga të gjithë punonjësit e saj do të vazhdoj me të njëjtin vullnet rrugen drejt suksesit duke konsoliduar poziten e saj si kompania më e rëndësishme e sektorit në tregun shqiptar.
Mediat shkruajne e flasin shumë për këtë çështje, deklarata të dhëna, por kontradiktore midis tyre. Cili është mendimi juaj?
Mediat flasin shumë për këtë çështje sepse është shumë delikate dhe siç thashë më parë në mënyrë direkte dhe indirekte prek mijëra persona. Duhet të bëjmë kujdes që mos të ngatërrojmë politikën me një çështje si kjo. Kam lexuar shumë deklarata dhe jam i bindur që kanë të bëjnë vetëm me inate politike gjë që nuk ndihmom situatën, por e përkeqson atë.
Duke qenë se përmendet politikën, ju si një ndër sipërmarrjet me numrin më të lartë të punonjësve, çfarë ndihme dhe mbështetje keni nga qeveria apo insitucione të tjera?
Për fat të keq politika jonë nuk ka krijuar asnjë kusht për të ndihmuar kompanitë si facile.it që jo vetëm punësojnë çdo vit qindra të rinjë, por edhe janë një amortizator social i mirëfilltë për familjarë të harruar nga tregu i punës dhe emigrantë që rikthehen në vendin e tyre, por që trajtohen si të huaj nga shteti ynë. Pra në shumë aspekte avantazhet që ne kemi ofruar kanë mbuluar mangesitë dhe indiferencën e shtetit kundrejt politikave dhe amortizatorëve socialë. Nuk pretendojmë të kemi asnjë lloj ndihme ekonomike apo fiskale, por minimalisht pretendojmë të kemi me shumë mbështetje dhe zë në çështje që kanë të bëjnë direkt me punësimet apo politika që favorizojnë konditat e përgjithshme të bërit biznes dhe të punuarit në Shqipëri.
Bëhet shumë zhurmë, përçmim dhe ironizim me emrin Call Center. Si mendoni përse e gjitha kjo?
Po është e vertetë. Mjafton të shohesh në rrjete sociale statuse e postime të tilla. Të shohesh në media emisione humoristike që ironizojnë të rinjtë që e duan këtë punë. Të lexosh artikuj në gazeta që denigrojnë punën. Nuk e kam kuptuar asnjëherë nga vjen i gjithë ky mllef, por e di që jetojmë në një shoqëri ku antivlerat dhe paratë e thjeshta injektohen me forcë dhe sasi të mëdha çdo ditë. Por gjatë këtyre ditëve që është përfolur shumë për amendimin që po votohet në Itali vertetova që shqiptarët në fund të së gjithës (por jo dhe aq në fund), i duan shumë Call Center.
Cili do të jetë fati i Call Center në Shqipëri?
Duhet të jemi realist. Shqipëria nuk është as Angli, as Gjermani. Shqiperia sot duhet të ofrojë kushte optimale kompanive të huaja që vijnë dhe investojnë në vendin tonë. Kur politika shqiptare ta kuptoj këtë dhe për sa kohë e rregullon, Facile.it do të vazhdojë investimet dhe rritjen e saj në Shqipëri duke u bërë një nga motorët kryesor për zhvillimin e ekonomisë në vendin tonë. (Koha Jone)
Diskutime rreth kësaj post