Buxheti i caktuar për mirëmbajtjen e rrugëve në Shqipëri llogaritet në rreth 25-30% e totalit të nevojshëm për mirëmbajtjen e infrastrukturës. Shifra arrin në 329 milionë euro për periudhën 2015-2019.
Kështu thuhet në Strategjinë Kombëtare të Transportit 2016–2020, e cila ka hyrë tashmë në fuqi me botimin e saj në Fletoren Zyrtare. Në të përcaktohet se Shqipëria ka shpenzuar 2,194/euro në rrjetin kombëtar, që është e pamjaftueshme dhe e ulët në krahasim me vendet e tjera në rajonin e Europës Juglindore, për të cilat objektivi është vendosur 10,000 euro/km për të arritur një gjendje të përshtatshme, raporton Monitor.
Edhe Banka Botërore, përmes inspektimeve të ekspertëve të saj, ka konstatuar se ndër shenjat e cilësisë së dobët janë: prishja e parakohshme e asfaltimeve të reja dhe e disa strukturave, përdorimi i standardeve të ndryshme të projektimit në seksione të përafërta, sinjalizime të dobëta dhe kontradiktore, mosriparime të pajisjeve apo sendeve elektrike.
Një studim po i Bankës Botërore i vitit të kaluar identifikoi 3,164 km rrjet rrugor, sipas të cilit 83% e rrjetit të përgjithshëm, 91% e rrugëve parësore dhe 77% e rrjeteve dytësore dhe të FSHZH-së janë në gjendje të qëndrueshme (shumë të mirë, të mirë apo relativisht të mirë) dhe kërkojnë vetëm mirëmbajtje periodike dhe të zakonshme.
Niveli i ulët i mirëmbajtjes është pranuar edhe nga qeveria shqiptare e cila me ndihmën e Bankës Botërore ka nisur një projekt, i cili pritet të përfundojë në vitin 2020. Sipas tij do të nënshkruhen kontrata 5-vjeçare bazuar në performancën me katër kontraktorë privatë për mirëmbajtje periodike dhe të zakonshme të 1,335 km rrugë parësore e dytësore të rrjetit kombëtar të rrugëve. Strategjia shqiptare për pagesat rrugore, që po përgatitet aktualisht në kuadrin e një projekti, do të sigurojë një dokument për qeverinë shqiptare për përdorimin e mundshëm të pagesave rrugore në vend.
Diskutime rreth kësaj post