Koço Kokëdhima ka bërë një shënim me rastin e 28 nëntorit.
Ai thotë se shqiptarët sot janë gati për revoltë:
“Të dashur miq, me rastin e 28 nëntorit, ju ftoj të nderojmë me përulësi të gjithë luftëtarët, heronjtë dhe dëshmorët e popullit tonë në breza, që u sakrifikuan për lirinë, pavarësinë dhe flamurin e Shqipërisë, për idealin, gjuhën, kulturën, trojet, dhe identitetin tonë kombëtar, të nderojmë Ismail Qemalin me shokë dhe Vlorën tonë të dashur e heroike.
Sot, në këtë ditë të shënuar, duhet të pranojmë me keqardhje të madhe se, Shqipëria këto 25 vite, u sundua prej kastave të korruptuara, të paafta e mizore, të cilat, më së fundi dhe nën trysni, gërryen sovranitetin e Republikës sonë të pavarur.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë mbështetur vazhdimisht përpjekjet dhe luftërat e popullit tonë për liri dhe pavarësi. Prandaj jam shpresëplotë se, Presidenti i zgjedhur Donald Trump, do e ndihmojë Shqipërinë në këtë moment kyç të historisë së saj.
Shqipëria do luftojë si kurrë më parë, për tu çliruar nga diktatura e skamjes, injorancës, paaftësisë dhe padrejtësisë, nga tirania e korrupsionit dhe hashashit. Do luftojë për të vendosur republikën demokratike kushtetuese, të pavarur e sovrane, për të kthyer shpresën dhe besimin, punën, dinjitetin e mirëqenien te rinia dhe qytetarët.
Duket sikur e keqja ka triumfuar përfundimisht, por kjo nuk është kështu. Populli po zgjohet. Rinia po ndërgjegjësohet. Të varfërit, të përbuzurit, të papunët, të harruarit, të palumturit po ngrihen. Revolta e tyre do e thyejë kastën që po shkatërron jetën dhe ekzistencën e qytetarëve tanë. Ja vlen të luftojmë. Të fitojmë mbi frikën e pamundësinë.
Rroftë Shqipëria”, shkruan Kokëdhima.
Diskutime rreth kësaj post