Kthehet makthi i shkollave amerikane pasi një agresor i armatosur hapi zjarr në Universitetin shtetëror të Ohajos. Mediat lokale raportojnë se agresori u vra pas ndërhyrjes së shpejtë të policisë.
Mësohet se 9 persona kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar në spital, dy prej të cilëve në gjendje serioze. Ndërsa vrasja e agresorit konfirmohet nga disa burime, ka media që flasin për një agresor të dytë të armatosur me thikë që është ende në arrati.
Burime mjekësore thanë se të plagosurit kishin plagë armësh zjarri dhe armësh të ftohta. Megjithëse policia e shpalli zonën e ngjarjes të sigurt, aty ka ende prani të madhe policore dhe forcash speciale.
Pak minuta pas nisjes së sulmit, shkolla i dërgoi studentëve mesazhin e zakonshëm të alarmit, por më pas policia bëri thirrje që ata të dalin nga vendet ku janë fshehur.
Sulmi ndodhi në ndërtesën e shkencës dhe inxhinierisë dhe studentët e pranishëm pasi dëgjuan krismat, bllokuan dyert e sallave ku ndodheshin me ç’të mundeshin, përfshirë karrige.
Mediat lokale raportuan se të gjitha orët e mësimit dhe leksionet janë anuluar për ditën. Universiteti i Ohajos ka rreth 60 mijë studentë dhe është një nga më të mëdhenjtë në SHBA.
Diskutime rreth kësaj post