“Vlerësoj hapjen e qeverisë shqiptare për t’u marrë me këto çështje të ndjeshme dhe shpresoj që si Shqipëria dhe Greqia të tregojnë vullnetin e mirë dhe frymën europiane, në mënyrë që të dalin me një zgjidhje. Greqia nuk mund të ndalë integrimin e Shqipërisë në BE.”
Eurodeputeti, Eduard Kukan, ka vlerësuar pozitivisht qëndrimet e qeverisë shqiptare të deklaruara nga kryeministri Rama, në raport me Greqinë sa i përket Çështjes Çame dhe të tjera të pazgjidhura mes dy vendeve.
Për gazetën “Koha Jonë”, Kukan thekson se Greqia nuk mund të ndalë integrimin e Shqipërisë në BE, për shkak se nuk i pëlqen kërkesa e palës shqiptare për zgjidhjen e këtyre problemeve.
Ai rekomandon që dyja palët, qeveria shqiptare dhe ajo greke të ulen në bisedime për zgjidhjen e këtyre problemeve, sado të ndjeshme të jenë ato.
“Unë shpresoj që Këshilli do të marrë vendimin në bazë të progresit të Shqipërisë të bërë deri më tani. Çështjet bilaterale, si me Greqinë, nuk duhet të shkelin progresin e bërë në procesin e reformave të lidhura me integrimin në BE.
Unë mendoj se do të ishte e padrejtë për vendin. Unë gjithashtu vlerësoj hapjen e qeverisë shqiptare për t’u marrë me këto çështje të ndjeshme dhe shpresoj që si Shqipëria dhe Greqia të tregojnë vullnetin e mirë dhe frymën europiane, në mënyrë që të dalin me një zgjidhje.
Unë do ta përsëris atë që kam thënë në shumë raste, çështjet dypalëshe nuk duhet të pengojnë procesin e integrimit europian”, ka thënë Kukan.
Diskutime rreth kësaj post