Qindra qytetarë dhe aktivistë mjedisorë u mblodhën të enjten përpara Parlamentit për të protestuar kundër miratimit të ligjit të menaxhimit të integruar të mbetjeve. Protestuesit, një pjesë e të cilëve e kaluan natën e së mërkurës përpara Parlamentit në shenjë rezistence, i bënë thirrje deputetëve qëtë mos e miratojnë ligjin e rikthyer në Kuvend, pas mosdekretimit nga presidenti i Republikës, Bujar Nishani.
Më 14 nëntor, Presidenti ktheu për rishqyrtim në kuvend ligjin Nr. 92/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 10463, datë 22.09.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” me arsyetimin se bie ndesh me Kushtetutën dhe konventat ndërkombëtare si dhe rrezikon shëndetin e qytetarëve shqiptarë.
I propozuar nga tre deputetëtë Partisë Socialiste në korrik, ligji kaloi më 23 shtator në parlament me 63 vota pro dhe 27 vota kundër. Pas mosdekretimit nga presidenti, që të hyjë në fuqi ligji duhet të votohet nga një shumicë prej 71 deputetësh.
I parashikuar për të qenë në rendin e ditës, projektligji u tërhoq në mënyrë të beftë nga seanca e 24 nëntorit, për shkak të qëndrimeve të ndryshme mes partive të koalicionit qeverisës, LSI dhe PS. Megjithatë, ai u bë pjesë e diskutimeve politike brenda sallës së Kuvendit, ndërkohë që përfaqësuesit e shoqërisë civile vazhdonin protestën në ambjentet e jashtme.
Deputeti Ben Blushi, i cili ka themeluar lëvizjen Libra pas largimit nga Partia Socialiste tha në Kuvend se projektligji për importin e mbetjeve e ka konsumuar afatin e vet 8 javor për t’u shqyrtuar, ndërsa shtoi se tërheqja e tij nga seanca është bërë për shkak të mungesës së votave.
“Pse nuk sillet ligji? Sepse nuk kemi vota sepse ka më shumë vota keqbërësish se vota të atyre që duan të votojnë pro,” tha Blushi.
Por Eduard Shalsi, njëri prej deputetëve propozues të ligjit tha se mazhoranca priti përgjigjen e Bashkimit Europian dhe paralajmëroi se drafti do të kthehej në Kuvend për votim, pasi të diskutohej në Komisionin përkatës.
Protestuesit jashtë parlamentit kërkuan me forcë që deputetët të mos i hapin rrugën importit të mbetjeve në Shqipëri dhe të tërhiqen një herë e mirë nga projektligji.
“Njëpërqindëshi [i njerëzve të pasur të Shqipërisë] na thotë se duhet t’i importojmë plehrat se është e vetmja mënyrë që ne të përpunojmë mbeturinat tona,” tha aktivisti Endrit Shabani duke ironizuar qëndrimin e Partisë Socialiste.
“Sikur ne të punojmë me 100 për qind të kapacitetit të përpunimit të mbeturinave tona, nuk do të arrijmë dot të përpunojmë as gjysmën e mbeturinave që kemi”, shtoi ai.
Shoqëria civile dënoi gjithashtu dhunën e ushtruar nga policia ndaj disa protestuesve të cilët kaluan natën me batanije përpara parlamentit. Policia deklaroi se ishte detyruar të ndërhynte ndaj protestuesve, pasi ata nuk kishin pranuar të hiqnin paletat pas orarit të lejuar. Protestuesit po ndiqen penalisht për veprën e “prishjes së qetësisë publike”.
Protestuesit paralajmëruan vazhdimin e protestave edhe më të shumtë në numër, nëse deputetët nuk tërhiqen nga importi i mbetjeve në Shqipëri.
“Ne do të jemi këtu të enjten tjetër dhe çdo të enjte derisa parlamenti të tërhiqet nga ky ligj,” tha Andi Tepelena, aktivist i Aleancës Kundër Importit të Plehrave.
BIRN
Diskutime rreth kësaj post