Shpërthimi i një kamioni pranë një pike karburanti në Hilla të Irakut u kushtoi jetën të paktën 80 personave, shumë prej të cilëve pelegrinë shiitë. Rreth 20 të tjerë mbetën të plagosur.
Rruga ishte e mbushur plot me njerëz, që po ktheheshin nga një pelegrinazh në qytetin e Karbalës. Shumica e viktimave raportohet të jenë iranianë.
Shteti Islamik mori përsipër autorisinë e sulmit përmes një deklarate në agjencinë e tij të lajmeve “Amak”. Grupi prentendon se shpërthimi kishte shkaktuar rreth 200 viktima e të plagosur.
Shënjestër e sulmit duket se ishin autobusët që transportonin pelegrinët shiitë. Sipas disa raportimeve, kamioni bombë ishte i parkuar dhe forca e shpërthimit e shkatërroi plotësisht pikën e karburantit.
Imazhe nga vendi i ngjarjes treguan tym të zi e të dendur dhe autobusë të djegur. Kjo është një taktikë familjare e militantëve xhihadistë, që sulmojnë një zonë të caktuar kur janë nën presion në një tjetër.
Miliona pelegrinë shiitë udhëtuan në Karbala për të shënuar fundin e periudhës 40-ditore të zisë për imamin e tretë shiit, Husein, nipi i Profetit Muhamed.
Diskutime rreth kësaj post