Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur kritikave të bëra në adresë të qeverisë së tij për konçesionet në shëndetësi. Duke folur nga podiumi i Parlamentit, Rama ka theksuar se situata në spitale sot është shumë ndryshe nga si ka qenë më parë.
“Përrallën e konçesioneve në shëndetësi tregojeni sa të doni, nuk ju beson njeri. E vërteta është se qytetarët e provojnë dhe kjo është shumë e thjeshtë. Ata marrin shërbime cilësore dhe nuk nxjerrin para nga xhepi. Ne nuk do të humbasim më kohë për t’u mbushur mendjen atyre që shqiptarët i duan të pandriçuar për këtë çështje”, ka thënë Rama.
Këto deklarata ai i ka bërë fill pas fjalës së deputetit Ben Blushi, i cili tha se vendi ndodhet në varfëri ekonomike. “Shakaxhinjtë që mendojnë se ekonomia mund të rritet duke shkruar përralla mund të vazhdojnë të shkruajnë përralla, por rritje ekonomike do arrihet nga reformat që po bëjmë ne”, ka thënë Rama duke iu referuar ish-aleatit të tij.
Kryeministri ka cituar Bankën Botërore, të dhënat e të cilës tregojnë sipas tij të kundërtën e atyre që pretendon opozita. “Ekonomia e Shqipërisë ka vijuar të zgjerohet në vitin 2016, e mbështetur nga investimet private dhe rritja e konsumit familjar, thotë BB. Në fund të këtij viti, rritja ekonomike pritet të jetë nga 3.3 deri në 3.5 për qind”, ka thënë Rama.
Duke cituar më tej të dhënat e Bankës, Rama ka theksuar se, të ardhurat fiskale vijuan të rriten edhe gjatë 2016-s, duke çuar në një rënie të borxhit publik për herë të parë që nga rënia e krizës globale.
“Si rezultat, vijon BB, borxhi publik do të bjerë në mënyrë të vazhdueshme, në kontekstin e rritjes së përshpejtuar ekonomike”, ka vijuar Rama.
Sipas tij, edhe tregu shqiptar i punës ka filluar të regjistrojë një normë të qëndrueshme. “Norma e punësimit për moshat nga 15-64 vjeç u rrit 54.8 për qind. Kjo shënon uljen më të madhe të papunësisë”, ka thënë Rama.
Diskutime rreth kësaj post