Duke mbajtur në duar pankarta ku shkruhej “Nikolla dorëhiqu” dhjetëra aktivistë të Lëvizjes Për Universitetin dhe studentë në Tiranë protestuan përpara Ministrisë së Arsimit dhe duke i quajtur veprimet e ministres së arsimit Lindita Nikolla kërkuan dorëheqjen e saj.
Protesta erdhi një javë pasi një aktiviste e Lëvizjes Për Universitetin spërkati me salcë ministren Nikolla në ditën ndërkombëtare të studentëve si shenjë revolte për dështimin e reformës së arsimit të lartë.
“Jemi mbledhur këtu si studentë, pedagogë, gjimnazistë dhe aktivistë për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi. I drejtohemi znj. Lindita Nikolla si ministre e arsimit dhe i kërkojmë dorëheqjen pasi jeni vënë në shërbim të bizneseve private që rrjepin familjet e shqiptarëve me tarifa disa mijëra euro”, tha në deklaratë Për Universitetin.
“Ju si ministre zonja Nikolla me udhëzimet dhe dhjetë raundet e regjistrimit vratë ëndrrat dhe të ardhmen e maturantëve. Ju shkaktuat panik masiv ministre Nikolla, ju e kaluat vijën e kuqe,” deklaruan studentët.
Protestuesit i bënë thirrje institucioneve ligjzbatuese të hetojnë skemën e regjistrimit në universitete dhe e akuzuan ministren Nikolla se e ka vënë atë në shërbim të universiteteve private.
Ata dënuan gjithashtu sulmin mediatik ndaj aktivistes së Lëvizjes e cila hodhi salcë ndaj ministres duke brohoritur “turp”, ndërsa vetë Ruko pohoi për BIRN se lajmet e publikuara në të ishin ngritur mbi baza false.
“Protesta e Lëvizjes Për Universitetin kundër reformës në arsim është një protestë e hershme që po vazhdon prej dy vitesh tashmë. Ne jemi përballur me heshtje nga Ministria e Arsimit në lidhje me kërkesat tona,” tha për BIRN Mirela Ruko aktiviste e Për Universitetin.
“Ne kërkojmë me vendosmëri dorëheqjen e ministres Nikolla, e cila ka dështuar në punën e saj,” shtoi Ruko.
Kaosi në arsimin shqiptar u thellua edhe më tej në shtator të këtij viti kur ndryshimet në minutë të fundit të skemës së pranimit në universitete dhe favorizimi i maturantëve ekselentë në fazat e para të regjistrimeve, lanë mijëra maturantë jashtë fakulteteve.
Lëvizja Për Universitetin, një grupim studentësh dhe aktivistësh që synojnë të reformojnë nga brenda jetën studentore u bë aktive në vitin 2014 dhe për pasojë është përplasur vazhdimisht me qeverinë dhe ministrinë e arsimit, të cilat sipas Lëvizjes po veprojnë në dëm të universiteteve shtetërore për të mbrojtur interesat e universiteteve private.
BIRN
Diskutime rreth kësaj post