Eksponentët kryesorë të Aleancës për Shqipërinë Europiane kanë zhvilluar pasditen e kësaj të marte një takim falenderues me elektoratin e Kolonjës, pas fitores në zgjedhjet vendore të së dielës.
Në fjalën e tij, zv.kryeministri Niko Peleshi është shprehur “i prekur thellë” nga votat që kanë ardhur sipas tij edhe nga ato zona ku qeveria e majtë nuk ka bërë sa duhet.
“Jam i bindur se Ilia Stefo do të shkëlqejë edhe si kryetar bashkie”, ka thënë Peleshi, i cili ka evidentuar edhe një element tjetër. “Ne kemi një rritje prej 1.400 votash nga zgjedhjet e fundit”, ka saktësuar Peleshi.
Vetë kandidati fitues, në fjalën e tij ka falenderuar të gjithë votuesit, përfshirë ata që nuk e votuan. “Do të bëjmë punë shumë të mira. Le t’i përvishemi punës që Kolonja të marrë shkëlqimin që i ka munguar”, ka thënë Ilia Stefo.
Në të njëjtat linja, duke marrë fjalën kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si një borxh të madh ndaj qytetarëve fitoren e së dielës.
“Faleminderit që na keni futur në një borxh të madh, edhe më të madh se ç’e kishim. Braktisja e Kolonjës nga qeveritë ndër vite ka hapur shumë plagë”, ka thënë Rama, i cili ka premtuar se qeverisja e re vendore do të punojë për të sjellë ndryshimin.
“Jam këtu t’ju bëj me dije se do të bëjmë për Kolonjën gjithçka që kemi mundësi, në mënyrë që ndryshimi të shkojë kudo, në mënyrë që ndryshimin ta prekin të gjitha familjet jo vetëm në Kolonjë, por edhe në fshatra”, ka thënë Rama.
Një ndër premtimet kryesore të kryeministrit ka qenë përfundimi i rrugës, “në mënyrë që lidhja e Kolonjës me Korçën të bëhet e shpejtë dhe e thjeshtë”.
Në fund “falenderoj Niko Peleshin që ka bërë një punë shumë të mirë. Falenderoj edhe partnerët tanë të koalicionit, një falenderim i merituar sepse janë treguar shumë bashkëpunues e luajalë. Si dhe një falenderim për të gjithë të tjerët”, ka vijuar Rama.
Ai i ka rezervuar një mesazh edhe opozitës. “Më vjen keq që ata që ishin përballë nesh e morën këtë mundim, por ajo që dua t’u them është se herës tjetër do t’i mundim edhe më thellë. Shitësit e broçkullave e morën edhe një mësim tjetër dhe në qershor do të marrin një mësim edhe më të madh”, ka shtuar Rama.
Diskutime rreth kësaj post