Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka vendosur që sot, pikërisht në ditën e parë të fushatës për zgjedhjet e 11 dhjetorit në Maqedoni, të dekorojë mbi 100 personalitete nga Maqedonia për “meritat e tyre në fusha të ndryshme për avancimin e shqiptarëve por edhe të bashkëpunimit të tyre me popujt fqinj”.
Me këtë rast Thaçi ka zgjedhur të paraqitet përkrah Ali Ahmetit. Kreu i BDI-së menjëherë ka njoftuar duke shfaqur kënaqësi për takimin me “bashkëluftëtarin dhe bashkëveprimtarin” e tij.
Thaçi do të ndajë dekorata në një ceremoni në Shkup mirënjohje “personaliteteve për kontribut në politikë, në të drejta të njeriut, në shkencë, në kulturë e art, por edhe në biznes”.
Por, disa nga subjektet e atjeshme kanë reaguar duke i kërkuar Thaçit që të mos përzihet në fushatën e atjeshme.
Një kërkesë e tillë këto ditë është bërë nga lideri i Lëvizjes për Reforma – PDSH, Zijadin Sela.
Përndryshe, paternalizmi, si nga ana e Tiranës, ashtu edhe nga Prishtina, nuk është gjë e re për shqiptarët e Maqedonisë, sidomos në kohë të zgjedhjeve. Liderët qeveritarë dhe politikë rregullisht në situatat e këtilla u tregojnë “vëllezërve nga Maqedonia”, se cilët janë të preferuarit e tyre, qoftë me pritjet që u bëjnë në Tiranë e Prishtinë, qoftë me mesazhe përkrahjeje përmes medias, apo edhe me dekorime, si këto të fundit të presidentit të Kosovës.
Diskutime rreth kësaj post