Ilia Stefo është zgjedhur kryetari i ri i Bashkisë së Kolonjës, duke siguruar 2100 vota më tepër se rivali i tij Dritan Hajro.
Menjëherë pas numërimit të votave, Stefo reagoi në faqen e tij në Facebook duke falenderuar 65% të kolonjarëve dhe leskoviqarëve, që siç thekson ai i dhanë mundësinë për t’iu shërbyer të gjithëve. “Rezultat i pastër :) Rreth 65% e kolonjarëve dhe leskoviqareve më kanë dhënë sot
detyrën më të bukur, mundësinë për tu shërbyer të gjithëve. Nga nesër fillon puna për një Kolonjë më të mirë. Faleminderit të gjithëve!” shkruan Stefo.
Në përfundim të procesit të numërimit të votave, kandidati Dritan Hajro ka pranuar rezultatin dhe i ka dhënë dorën Ilia Stefos, duke e përgëzuar për fitoren. Aleanca e majtë ka thelluar rezultatin në krahasim me zgjedhjet në vitin 2015, kur në Kolonjë fitoi kandidati Arben Malo me rreth 750 vota më shumë.
Bashkia e Kolonjës votoi të dielën për të zgjedhur kryetarin e ri të Bashkisë, pas ndarjes nga jeta të Arben Malos, rreth dy muaj më parë.
Procesi i votimit nisi në orën 07:00 në të 36 qendrat e votimit, në 8 njësi administrative të kësaj Bashkie dhe u mbyll në orën 18:00. Në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Kolonjës u thirrën 16 700 votues. Në garë për Bashkinë e Kolonjës kandiduan Ilia Stefo i mbështetur nga Aleanca për Shqipërinë Europiane (ASHE) dhe Dritan Hajro, kandidat i PAAsë, i mbështetur nga koalicioni i djathtë Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet (APPD).
Rreth orës 18:15 minuta, zyrtarisht u mbyll votimi ku pjesëmarrja u shënua në masën 49.6%.
Diskutime rreth kësaj post