Amerikanët nuk janë ambientuar ende me faktin që në krye të tyre pas 20 janarit do të jetë dyshja Donald Trump dhe Mike Pence dhe këtë e tregon edhe pritja që iu rezervua zv.Presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara në teatrin “Broadway” në Nju Jork.
Pence u shfaq në këtë teatër për të ndjekur muzikalin “Hamilton”, por u prit nga fërshëllimat e publikut dhe një mesazh të organizatorëve të shfaqjes.
“Ne zotëri, jemi Amerika e shumëllojshmërisë dhe jemi të alarmuar dhe në ankth se administrata juaj e re nuk do ta mbrojë këtë shumëllojshmëri”, lexoi mesazhin aktori Brandon Dixon.
Sipas raportimeve, mesazhi ishte përgatitur nga skenaristët e shfaqjes menjëherë sapo kishin mësuar se në sallë do të ishte edhe Mike Pence.
Leximi i mesazhit u prit me brohorima në publik dhe u desh thirrja e Brandon Dixon për të qetësuar publikun nga thirrjet kundërshtuese drejtuar Mike Pence.
Dëshmitarët thanë se zv.Presidenti u prit me kundërshti që në momentin që hyri në teatër dhe gjatë gjithë kohës shfaqja u ndërpre disa herë për shkak të thirrjeve kundër tij.
Në fund, kur Pence po largohej, Dixon kërkoi nga të pranishmit që të mos e fërshëllenin më atë dhe i kujtoi zv.Presidentit se kishte ndjekur një shfaqje të mundësuar nga njerëz të ngjyrave, bindjeve, besimeve dhe orientimeve seksuale të ndryshme.
Mike Pence njihet si një konservator i rrymës së ashpër. Ai u vendos në qendër të kritikave në fillim të vitit kur firmosi një ligj që kritikat thonë se diskriminon komunitetin LGBT dhe komunitetet fetare të ndryshme duke u njohur bizneseve të drejtën për të refuzuar marrjen e tyre në punë. Më vonë, Pence u dorëzua dhe e amendoi ligjin duke e zbutur disi këtë pjesë.
Diskutime rreth kësaj post