Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri në Samitin e Parë të Diasporës shqiptare tha se procesi regjistrimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë është shumë i rëndësishëm
“Vështirësia që ka qytetari për të marrë shërbim vjen fillimisht për shkak të mungesës së njohurisë, pra të dijes, të të dhënave lidhur me shqiptarët që jetojnë këtu, me adresat e tyre; dhe mungesën e raportit ndërmjet dy entiteteve, qytetarit-familjes dhe institucionit apo institucioneve”, tha Tahiri
“Ka shumë bashkëkombës tanët, të cilët në një mënyrë apo në një tjetër kanë qenë dhe vijojnë të jenë vazhdimisht kontribuues për Shqipërinë. Këtu nuk e kam fjalën për shqiptarët që në një mënyrë apo në një tjetër janë asimiluar dhe Shqipërinë e kanë një atraksion të kujtesës historike të familjes. E kam fjalën për ata që jetojnë në mënyrë të gjallë, të përditshme ose të paktën konstante me zhvillimet politike në Shqipëri. Kanë lidhje shpirtërore , por jo vetëm, lidhje pasurore, lidhje interesash të të përditshmes. Sot ne jemi të pamundur të japim shërbime për shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë, veç prej asaj dritares që ofrojnë Ambasadat dhe Konsullatat”, vijoi ai.
Tahiri shtoi se, mundësia për të regjistruar shqiptarët e Shqipërisë, vetëm duke shfrytëzuar kompjuterin e shtëpisë apo një smartphone është një mundësi shumë e madhe dhe e vyer për ne. ” E para, për të ditur, pra për të zgjeruar bazën e njohurisë. E dyta, për të shtruar platformën më solide të shërbimeve që duhet t’u japim emigrantëve.
Kjo fillon nga certifikatat apo shërbimet konsullore, quhen tani shërbime konsullore, por nesër mund të jenë shërbime thjesht nëpërmjet një portali, deri te lidhja që kanë, pra shtetas shqiptarë që jetojnë Shqipërisë – lidhja që kanë me institucionet. Duke filluar nga institucionet shtetërore, të qeverisë, të institucioneve që japin shërbim, deri te çështje gjyqësore. Dhe mundësia për të qenë pjesëmarrës aktivë, jo vetëm për të marrë shërbime, por edhe për të kontribuar në cilëndo mënyrë në jetën e përditshme të shtetit tonë”, argumentoi Tahiri.
“Dhe e dyta, qoftë regjistrimi brenda Shqipërisë, qoftë regjistrimi i shqiptarëve jashtë Shqipërisë, të funksionojnë, kërkon domosdoshmërisht veprim aktiv nga qytetarët shqiptarë. Në mënyrë të veçantë nga ata që jetojnë jashtë Shqipërisë. Kjo është indiferente nga fakti nëse ke një shtetësi të dytë, por ka shumë rëndësi që lidhje me Shqipërinë të jetë aktive apo të aktivizohet nëpërmjet regjistrimit vullnetar”, shtoi ai.
Sipas tij, kjo është mënyra më e mirë për të pasur shërbime cilësore, por mbi të gjitha për të pasur zë të fuqishëm në vendim-marrje nga të gjithë shqiptarët që janë të interesuar për fatet e vendit të tyre.
Lidhur me votimin. “Është folur shumë për të drejtën e shqiptarëve jashtë Shqipërisë për të votuar dhe për të diktuar fatet e vendit të tyre. Janë bërë fushata elektorale pa fund, në emër të emigrantëve, në emër të diasporës, në emër të shqiptarëve që duhet të votojnë. Janë bërë premtime pa fund për këtë, angazhime pa fund për ta çuar përpara këtë axhendë minimale e quaj unë, lidhur me shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe me të drejtën e tyre për të diktuar fatet e vendit. Unë besoj tani jemi në hapat e parë konkretë larg retorikës, larg politikës, larg axhendës elektorale të gjithë secilit. Jemi në hapat e parë për ta bërë konkret për ta bërë realitet. E që të ndodhë kjo duhet të kemi patjetër regjistrimin e qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë, në mënyrë që t’i japim rrugë shërbimeve dhe mbi të gjitha të drejtës së votës”, tha Tahiri
“Unë besoj kjo është rruga më e drejt që ne, unë, kolegu im Ditmiri, Kryeministri të gjithë bashkë të shlyejmë një borxh të trashëguar, të cilin ne e mbajmë mbi shpatulla. Të shlyejmë një borxh ndaj jush dhe ndaj çdo shqiptari që jeton jashtë Shqipërisë. Ky është një borxh që ne e mbajmë në kurriz, në emër të kujtdo që ka qeverisur deri më sot Shqipërinë”, nënvizoi ai.
Diskutime rreth kësaj post