Nga Visar Duriqi
Operacioni i autoriteteve kosovare që besohet se ka stopuar së paku një sulm terrorist në Shqipëri, ka vënë në pranga 18 kosovarë. Institucionet e sigurisë po e trajtojnë këtë rast si tepër sekret, duke i mbajtur të fshehtë emrat e të arrestuarve. Gazeta Express ka siguruar listën me emra të rinjve kosovarë që tashmë janë në burg si të përfshirë në këtë grup, ndërkohë që hetimet ende janë duke vazhduar.
Një operacion i madh kundër një grupi të dyshuar terrorist për të parandaluar së paku një sulm kundër kombëtares së Izraelit në futboll, në ndeshjen e tyre të fundit në Shqipëri, ka dërguar në burg 18 kosovarë. Ata me vendim të një gjyqtari do të jenë së paku një muaj në paraburgim.
Megjithatë, Policia e Kosovës, por edhe Gjykata ka vendosur që t’i mbajë larg publikut emrat e të arrestuarve- si një lloj sekreti.
Gazeta Express ka marrë vesh nga burime të saj, që monitorojnë sistemin e drejtësisë, se në këtë operacion që autoritet po tentojnë ta mbajnë larg publikut janë arrestuar këta kosovarë, kryesisht gjeneratë shumë e re : Visar Ibishi (1990), Liridon Morina (1988), Bujar Brahimi (1985), Burim Istrefi (1988), Kenan Plakaj (1986), Leotrim Vojvoda (1995), Leotrim Musliu (1994), Lulzim Gashi (1990), Arton Ahmeti (1993), Argjend Shatri (1994), Besart Peci (1983), Mexhid Shkreta (1985), Leotrim Syla (1997), Arber Krasniqi (1984), Hajdar Rushiti (1988), Arianit Metallati (1999) dhe Flamur Gashi (1993)
Policia e Kosovës nuk ka pranuar që të konfirmojë listën e personave të arrestuar së fundi nga ta me urdhër të Prokurorisë Speciale.
“Rasti ka kaluar ne kompetence te organeve te drejtësisë te cilëve mund t’i referoheni për informacione te mëtutjeshme”, ka thënë për Express një zyrtar nga Zyra për Informim e Policisë.
Gazeta Express ka provuar që të ketë qasje në listën të arrestuarve të fundit, por Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar pa asnjë arsye.
“Ju njoftojmë se gjyqtari i procedurës paraprake deklaron se nuk mund t’ju dërgohet kopja e vendimit për caktimin e paraburgimit për rastin të cilin jeni interesuar”, ka thënë për Express një zëdhënës i kësaj gjykate.
Gazeta Express merr vesh që edhe persona të tjerë janë nën vëzhgim nga autoritete e rendit në vend, dhe ato ndërkombëtare, dhe numri i të arrestuarve deri në fund të operacionit mund të shkoi deri në mbi 30 persona.
Deri tash në ndërlidhje me këtë rast ka pasur të arrestuar edhe në Shqipëri dhe Maqedoni, por që të dyja ato operacione ndërlidhen me grupin e Kosovës, që janë këta këta gjenerata e re e të prekurve nga idetë e islamit radikal që lypin shtet me “Shariat” përmes “xhihadit”, të frymëzuar nga lëvizja e islamit politik e njohur si wahabizmi.
Pos Policisë së Kosovës që ka thënë që kanë parandaluar sulme terroriste në Shqipëri, edhe anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njëherësh anëtar i lartë i Komisionit për Punë të Jashtme të këtij institucioni, Eliot Engel, ka deklaruar se autoritete kosovare kanë parandaluar një sulmi terrorist të militantëve të grupit Shteti Islamik ndaj kombëtares së Izraelit në futboll.
“Më kujtohet sulmi brutal ndaj ekipit olimpik izraelit në Munih më 1972, dhe druaj se ky sulm mund të kishte qenë po aq i keq ose edhe më i rëndë”, ka shtuar Engel.
Që nga vera e viti 2014, kur Kosova iu bashkua aleancës ndërkombëtare Anti-ISIS në vend janë zhvilluar shumë operacione kundër-terrorizëm, janë arrestuar po ashtu dhjetëra të dyshuar për përfshirje në luftërat në Irak e Siri, si xhihadistë, një pjesë e mirë e tyre janë akuzuar e gjykuar, e pak prej tyre edhe janë dënuar. Me aktakuza së fundi janë prekur edhe imamë të fuqishëm të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe lider politikë islamikë.
Kosova për një kohë të gjatë është konsideruar si vendi më i prekur në Europë nga fenomeni i luftëtarëve të huaj në grupet terroristet ku strategji kundër ekstremizmit të dhunshëm e Qeverisë thotë që numri i pjesëmarrësve kosovarë në këto grupe kishte qenë mbi 300 xhihadistë që kur përllogaritet me numrin prej 1.8 milionë banoresh jep të dhëna alarmante.
Aktualisht, sipas Blerim Ramës nga njësia kundër-terrorizëm e Policisë së Kosovës janë në Siri mbi 140 kosovarë, por ai nuk ka specifikuar se a bëhet fjalë vetëm për luftëtarë apo edhe për familjarët e tyre, gra e fëmijë.
Në këtë konflikt nuk është plotësisht e konfirmuar, por edhe autoritete flasin për një numër të kosovarëve të vrarë në të që sillet rreth 60 viktima- ose të cilësuar nga grupi SISI dhe krahu i Al-Kaidës në Siri, Xhabhatu Al-Nusra si “shahidë” (dëshmorë).
Diskutime rreth kësaj post