OST dhe KfW kanë firmosur marrëveshjen për financimin e projektit për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kv mes Shqipërisë dhe Maqedoninë.
“Një nga investimet e rëndësishme ka qenë linja me Kosovën dhe kfW ka qenë një pioner e mbështetjes për forcimin e rrjetit elektroenergjitik. Për arsye politike kjo linjë akoma nuk është vënë në funksionim megjithë lobingun e përpjekjet tona. Përfitoj nga rasti dhe jam i sigurtë se edhe kryeministri Rama do ta trajtojë në Berlin kur të takojë kancelaren Merkel, sepse na duhet që ky proces të përfundojë siç duhet dhe kjo linjë të jetë funksionale. Bllokimi dëmton marrëdhëniet por mbi të gjitha dëmton integrimin e rrjetit energjitik siç dëshiron edhe vet Bashkimi Evropian”, u shpreh ministri Gjiknuri.
Duke iu referuar linjës me Maqedoninë, ai tha se do të jetë një gur kilometrik për formimin e tregut energjitik. “Shqipëria po bën hapat e saja për krijimin e Bursës së Energjisë dhe liberalizimin e tregut por pa investime konkrete mbeten në letër. Jam i lumtur se progresi në sektor me mbledhjen e faturave, reduktimin e faturave, formalizimin e sektorit dhe ndërmarrjen e reformave ka bërë të mundur që të shtohen investimet”, theksoi Gjiknuri.
Ambasadorja gjermane deklaroi se sektori energjitik është një nga sektorët kyc të Bashkepunimit Financiar Gjermano-Shqiptar, për të cilin Qeveria Gjermane ka angazhuar më shumë se 270 milionë euro, që nga viti 1998.
Administratori i OST-së Engjell Zeqo, deklaroi se projekti si pjesë e infrastrukturës së korridorit të 8 evropian përmirëson sigurinë e furnizimit me energji elektrike në rajon dhe veçanërisht për 2 vendet. Do të rrisë kapacitetin transmetues ndërkufitar në vendet tona, si dhe në Evropën juglindore.
Në total huaja e butë e bankës gjermane KfË për këtë projekt arrin në 50 milion Euro. Në pikpamjen strategjike, Projekti përforcon lidhjet interkonektive me rajonin, duke krijuar kushte për shkëmbime tregtare dhe tranzitime pa kufizim të energjisë elektrike në rajon, zhvillon rrjetin 400 kV në zonën Jugore të Shqipërise, dhe si pjesë e infrastrukturës së Koridorit të Tetë Evropian krijon mundësi të mira për lidhje nëpërmjet kabllit nënujor me Italinë.
Ky projekt përfshin ndërtimin e linjës së re ajrore 400 kV, Elbasan 2 – Manastir, afërsisht 151 km, 56 km në territorin Shqiptar; zgjerimin e nënstacionit 400 kV Elbasan2 me zbarrë dyfishe 400 kV, një dalje të re linje 400 kV dhe një shunt-reaktor 120 MVAr; ndërtimin e linjës së re ajrore 400 kV, Elbasan 2 – Fier, rreth 70 km, si dhe dy dalje linje 400 kV në nënstacionin Elbasan 2 dhe nënstacionin Fier dhe zgjerimin e nënstacionit Fier me një Autotransformator 400 MVA dhe lidhjen e tij me rrjetin e transmetimit.
Parashikohet që punimet të fillojnë në vitin 2017 ndërsa projekti të mund të përfundojë në vitin 2019.
Diskutime rreth kësaj post